Bota

Studimi: I nxehti vrau mbi 61.000 persona në Evropë vitin e kaluar

Mbi 61.000 persona kanë vdekur në Evropë gjatë valës së nxehtësisë vitin e kaluar, u tha në një studim të publikuar më 10 korrik, përmes së cilit u bë thirrje që të bëhet më shumë për ta mbrojtur popullatën nga valët më vdekjeprurëse të të nxehtit në vitet në vijim.

Evropa, që është kontinenti që po përjeton ngrohjen më të shpejtë, më 2022 e regjistroi verën më të nxehtë në histori, dhe përderisa shtetet u goditën nga valët e të nxehtit, thatësira i dëmtoi të mbjellat dhe pati shpërthime të zjarreve.

Agjencia e statistikave e Bashkimit Evropian, Eurostat, kishte raportuar për një numër jashtëzakonisht të lartë të vdekjeve gjatë verës, por numri i vdekjeve të lidhura drejtpërdrejtë me motin e nxehtë nuk ishte saktësuar më parë.

Një ekip hulumtuesish analizuan të dhënat e temperaturave dhe vdekjeve nga viti 2015 deri më 2022. Të dhënat e analizuara u përkisnin 823 rajoneve në 35 shtete evropiane, ku jetojnë 543 milionë banorë.

Hulumtuesit nga Instituti i Barcelonës për Shëndet Botëror dhe Instituti francez për hulumtime shëndetësore, INSERM, përdorën modelet për të parashikuar vdekjet që u atribuohen temperaturave për çdo rajon në çdo javë të verës së vitit 2022.

Ata vlerësuan se 61.672 vdekje ishin të lidhura me të nxehtin mes 30 majit dhe 4 shtatorit të vitit të kaluar, sipas një studimi të publikuar në gazetën Nature Medicine.
Sipas studimit, vetëm vala e të nxehtit në javën e 18-24 korrikut shkaktoi mbi 11.600 viktima.

“Ky është numër shumë i lartë i vdekjeve”, tha Hicham Achebak, hulumtues në INSERM dhe bashkautor i studimit.

“Ne e dinim efektin e të nxehtit në vdekshmëri që pas vitit 2003, por me këtë analizë, ne kemi parë që ende duhet të bëhet shumë punë që të mbrohet popullata”, tha ai për AFP-në.

Mbi 70.000 vdekje shtesë u regjistruan më 2003 kur ndodhi një prej valëve më të këqija të të nxehtit në historinë evropiane.

Gratë mbi 80 vjeçe, më të rrezikuarat

Vitin e kaluar Franca regjistroi një rritje të madhe të temperaturave krahasuar me temperaturat mesatare të regjistruara në vitet paraprake. Rritja e temperaturave gjatë verës së vitit 2022 në Francë ishte prej 2.43 gradë Celsius, u tha në studim.

Zvicra ishte e dyta, pasi regjistroi një rritje temperaturash prej 2.30 gradë Celsius, pasuar nga Italia me 2.28 gradë Celsius dhe Hungaria me 2.13 gradë Celsius.

Sipas studimit, Italia regjistroi numrin më të lartë të vdekjeve të lidhura me të nxehtin, përkatësisht 18.010, pasuar nga Spanja me 11.324 dhe Gjermania me 8.173.

Shumica e viktimave ishin persona mbi moshën 80-vjeçare, u tha në studim.

Sipas analizimit të të dhënave, rreth 63 për qind e atyre që vdiqën nga i nxehti ishin gra. Sa i përket grupmoshës mbi 80 vjeç, niveli i vdekshmërisë te gratë ishte më i lartë për 27 për qind krahasuar me burrat.

Hulumtimet paraprake kanë treguar se Evropa po ngrohet dyfish më shpejt sesa mesatarja globale.

Përderisa bota është ngrohur në një mesatare prej pothuajse 1.2 gradë Celsius që nga mesi i viteve 1800, vitin e kaluar Evropa ishte 2.3 gradë Celcius më e nxehtë sesa në kohërat para-industriale.

Nëse nuk bëhet diçka për t’i mbrojtur njerëzit nga rritja e temperaturave, deri në vitin 2030 Evropa do të përballet me një mesatare prej më shumë se 68.000 vdekjesh çdo verë nga i nxehti, u vlerësua në këtë studim.

Deri në vitin 2040, do të ketë një mesatare vdekjesh të lidhura me nxehtësinë prej më shumë se 94.000, dhe deri më 2050, numri i vdekjeve mund të rritet deri në 120.000, thanë hulumtuesit.

“Këto parashikime bazohen në nivelin aktual të cenueshmërisë dhe në temperaturat që pritet të mbizotërojnë në të ardhmen”, tha Achebak.

“Nëse ne ndërmarrim masa efektive, ky nivel i cenueshmërisë mund të ulet”, shtoi ai.

Raquel Nunes, eksperte për shëndet dhe klimë në Universitetin Warwick të Mbretërisë së Bashkuar, nuk ka qenë e përfshirë në këtë studim. Ajo tha se ky studim “vë në pah nevojën urgjente për veprim për t’i mbrojtur popullatat e cenueshme nga ndikimet e valëve të nxehtësisë”.

Ndërkaq, Chloe Brimicombe, studiuese e klimës në Universitetin e Grazit në Austri tha se studimi “tregon se strategjitë e parandalimit të të nxehtit duhet të rishqyrtohen, duke pasur për bazë edhe aspektin gjinor”.

TRENDING

Exit mobile version