Kosova

Të arrestohet Vuçiç, Petkoviç e Brnabiç/Akuza: Tradhti e hapur me njohjen de fakto të Kosovës

Këshilli Kombëtar i Serbëve të Kosovës përmes një kumtese për media ka kërkuar nga Prokuroria e Lartë Publike që “menjëherë” të lëshoj fletë-arreste për presidentin Aleksander Vucic, kryeministren Ana Brnabiç, drejtorin e zyrës për Kosovë Petar Petkoviç si dhe kreun e deritashëm të Listës Serbe Goran Rakiç për “tradhti të hapur të interesave kombëtare e shtetërore në Kosovë”.

Sipas ‘Beta’, kreu i Këshillit Kombëtar Serb ka paralajmëruar se ndaj këtyre personave të paraqes padi për shkak “të veprimeve në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë, përmbajtjen e rezolutës 1244 të Keshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ligjeve në fuqi në kuadër të rregullimit kushtetues të Serbisë”.

Ky subjekt po ashtu paralajmëroi padi edhe ndaj prokurores publike për shkak “mos-veprimit dhe mos-ndërmarrjes së masave ligjore nga kompetenca e saj për ndalimin e veprimeve antishtetërore dhe antikushtetuese të këtij grupi kriminal.

“Ky grup me veprimet kriminale, mashtrimet dhe gënjeshtrat i ka lënë serbët në fatin e tyre tragjik, vuajtjet dhe eksodin që ende vazhdon, në dhe nga Kosova” thuhet në kumtesë.

Më tutje Këshilli Kombëtar Serb përmend vendimin e Serbisë për pranimin e targave të automjeteve të regjistruara në Kosovë si dhe dokumenteve tjera që nuk është asgjë tjetër vecse “njohje de fakto e Republikës së Kosovës”.

“Kërkojmë nga prokuroria e lartë  që me arrestimin e këtij grupi kriminal të parandaloj njohjen e Kosovës, që direkt prek identitetin serb dhe shtetësinë serbe dhe minon integritetin dhe sovranitetin e Serbisë” – thuhet në kumtesën e Këshillit Kombëtar Serb në Kosovë.

TRENDING

Exit mobile version