Kosova

Të dhimbshme, por duhet të ndodhin, diplomati austriak për kompromiset e Kosovës

Diplomati austriak Wolfgang Petritsch, ish përfaqësues i BE-së në bisedimet në Rambuje, i pyetur nëse pret të ketë përparim zbatimit të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, tha se eshte skeptic dhe se sa më shumë që të ketë përparim në dialog, aq më afër qëllimit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do jemi.

“Është e rëndësishme të theksohet se gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në dhjetë vitet e kaluara ka pasur përparime të mëdha. Kjo ka ndodhur edhe kohët e fundit, siç është marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të targave. Pa dyshim, ka ndryshime substanciale, por sidoqoftë, është e pamjaftueshme. Shpresoj se ekipi i ri i Bashkimit Evropian për ndërmjetësimin dhe lehtësimin e dialogut, do të ushtrojë një trysni të madhe tek Beogradi për të shkuar përpara, sepse tashmë kemi një marrëveshje dhe ajo duhet të zbatohet” – theksoi diplomati austriak

I pyetur se si ai I sheh raportet aktuale mes SHBA-së dhe Kosovës, pasi ka pasur disa deklarata të zyrtarëve amerikanë, që kanë folur për dëmtim të marrëdhënieve, Petritsch sqaroi:

– Po, aktualisht ka raporte relativisht të tensionuara mes Uashingtonit dhe Prishtinës, pasi Uashingtoni ka filluar të humbë durimin. Shtetet e Bashkuar, pra Uashingtoni, po thotë se për këtë vend kanë bërë shumë. Janë angazhuar aq shumë për lirinë e popullit të Kosovës dhe tani duan të shohin, thënë ashtu, zgjidhje kompromisi për disa çështje, që mbase mund të jenë të dhimbshme në një mënyrë për Prishtinën, por janë të domosdoshme. Një gjë duhet të dihet: është mënyra amerikane e të menduarit dhe të vepruarit,  që edhe unë e mbështes. Sic e dini, SHBA-ja ka edhe shumë probleme të brendshme. Mendoj se është në interesin e Kosovës që ta mendojë këtë çështje, pasi ende nuk e dimë se kush do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA në muajin nëntor. Nëse do të ketë një rikthim të Trumpit, atëherë kjo të kishte një ndikim shumë të madh për situatën e sigurisë si në Evropë ashtu edhe në Ukrainë, por me gjasë edhe në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, unë mendoj se sa më shumë përparim të bëhet tani në procesin e dialogut për normalizimin e  marrëdhënieve, aq më mirë do të jetë” – potencoi Wolfgang Petritsch

Luftë s’ka, por Banjska mund të përsëritet, Petritsch analizon veriun e Kosovës

Diplomati austriak Wolfgang Petritsch, tha se është shumë e rëndësishme, që Prishtina zyrtare të hapet ndaj serbëve, pavaresisht se ka valë kërcënimesh, por qe fatkeqësisht është pjesë e politikës që ka rrënjët në retorikën, që shkaktuan luftërat të cilat shkatërruan ish Jugosllavinë.

“Me bindje, them se presidenti Vuçiç nuk është prej atyre që do përsëriste gabimet e Millosheviçit për të hyrë në luftë kundër NATO-s, sepse çdo veprim ushtarak kundër Kosovës, do të mobilizonte NATO-n. Jam I bindur por dhe me brengë gjithashtu se incidente të tilla si ai në Banjskë, janë të mundshme dhe ato do ta zhvendosnin procesin paqësor shumë vite prapa. Diçka e tillë, duhet të pengohet patjetër dhe kjo gjatë këtij viti, pra vitit 2024, duhet të garantohet me praninë e KFOR-it në veri” – deklaroi diplomati austriak.

I pyetur nese ai sheh ndonjë rrezik që Kosovës mund t’i bëhet nga Rusia, Petritsch deklaroi: –  Nuk mendoj se Rusia merret drejtpërdrejt me Kosovën. Ajo është e zënë me luftën në Ukrainë ku ka përjetuar humbje të mëdha në njerëz dhe infrastrukturë ushtarake, por mund të thuhet se Rusia është një faktor që shfrytëzon situatën. Ajo dëshiron të pengojë, por jo se ka ndonjë interes për forcimin e Serbisë apo të serbëve. Ajo më shumë ka interes ta dobësojë ndikimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Rusia dëshiron të krijojë bindjen se BE-ja nuk është një organizatë e suksesshme dhe ky në fakt është qëllimi i saj i vërtetë dhe shfrytëzon veçanërisht një tip si Dodiku për ta arritur këtë. Rusia nuk është ndonjë faktor seriozë për Ballkanin Perëndimor, apo për Kosovën, por natyrisht, duhet treguar kujdes.

Duke iu pergjigjur pyetjes se ku ndodhet aktualisht Kosova në lidhje me proceset euro-integruese, diplomati potencoi” –

Unë besoj se Kosova është në rrugë të mbarë. Për afrimin e shpejt drejt BE-së mbetet kusht procesi i dialogut dhe formimi i Asociacionit. Unë gjithashtu mendoj se ekziston tashmë një shumicë për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi në këtë organizatë është i rëndësishëm, pasi aty ka institucione që kujdesen për të drejtat e njeriut dhe për të drejtat e minoriteteve në rajon, pra që minoritet të gëzojnë të drejtat e tyre dhe kjo është një përparësi e madhe për serbët kosovarë.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, do të thotë hapi i parë që bëhet edhe drejt integrimit në Bashkimin Evropian, por kjo sjell edhe instrumente të reja për mbrojtjen e të gjitha minoriteteve, prandaj duhet thënë serbëve, ashkalive, romëve dhe të tjerëve, se është shumë me rëndësi që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”.

 

 

 

TRENDING

Exit mobile version