Kosova

TELEFONATA Macron-Kurti, Franca do progres për Asociacionin, në kontekstin e KiE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast është diskutuar anëtarësimi potencial i Kosovës në Këshillin e Evropës, ka njoftuar Zyra e Presidentit të Francës përmes një komunikate për media.

Macron gjatë bisedës ndërsa ka përshëndetur Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, ka nënvizuar rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.

Macron ndër të tjera, siç njofton komunikata për media, ka shprehur keqardhje për dështimin e fazës së dytë të procesit të largimit të kryetarëve shqiptarë nga komunat në Veri të banuara me shumicë serbe.

“Macron kujtoi se është i domosdoshëm organizimi i zgjedhjeve të reja sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen e popullatës serbe”, potencon komunikata.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se autoritete kosovare do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për draft-statutin e Asociacionit dhe se një hap i tillë është detyrë e Qeverisë së Kosovës.

Në anën tjetër NTV TELEVIZION ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

Draft-statutit, që nuk është shkruar nga Kosova, por nga Bashkimi Evropian, është në plan që të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës me propozim të Elbert Krasniqit, ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal.

Nga burime ndërkombëtare, ky hap do të jetë kushti për Kosovën që më pas edhe me 16-17 maj Komiteti i Ministrave, saktësisht qeveritë e shteteve anëtare të KiE-së ta pranojnë Kosovën shtet anëtar të organizatës, apo, siç është procedura, t’i bëjnë thirrje për anëtarësim.

Të njëjtat burime thonë se Qeveria e Kosovës është pajtuar që ta bëjë këtë lëvizje në këmbim të anëtarësimit në KiE.

Pra, jo pritja e vendimit nga Gjykata Kushtetuese, por vetëm dërgimi në gjykatë nga Qeveria e Kosovës do të jetë hapi i domosdoshëm i kërkuar nga ndërkombëtarët.

 

TRENDING

Exit mobile version