Aktualitet

Tensionet në veri/ Zogaj: Intrigë që duhet hetuar nga ndërkombëtarët

Presidenti i Institutit Lberal Pashko, Preç Zogaj,  në një intervistë televizive ka komentuar zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës, ku një grup i armatosur serb krijoi trazira duke sulmuar Policinë e Kosovës dhe duke vrarë një efektiv.

Zogaj u shpreh se pas asaj që ndodhi ka një prapaskenë të menduar mirë, ndërsa tha se qëllimi i këtij grupi terrorist ishte që të fuste elementin e forcës mes gjithë atyre që kanë ndodhur së fundmi në Kosovë.

Sipas tij përfshirja e nënkryetarit të Listës Serbe në këtë grup, Milan Radoiçiç kompromenton jo vetëm partinë më të madhe serbe në Kosovë, por edhe Beogradin.

 

Ai shtoi se e gjithë kjo situatë është një intrigë në përmasa të mëdha që duhet të hetohet jo vetëm nga Kosova, por edhe nga faktorët ndërkombëtarë.

Zogaj vijoi duke thënë se hapja e një fronti luftarak në Ballkan është në favor të Rusisë, pasi ajo e ka jetike të shpërqendrojë vëmendjen e NATO-s me një vatër të re konflikti.

“Ka një prapaskenë të menduar mirë që filloi me një akt të mirëfilltë terrorist. Grupi terrorist kishte synim kryesor të fuste elementin e forcës mes gjithë atyre që kanë ndodhur së fundmi në Kosovë. Mes tyre edhe një intrigë për të tërhequr policinë e Kosovës rreth manastirit për të prodhuar në nivel ndërkombëtar një ngjarje shumë të rëndë.

Policia e Kosovës veproi profesionalisht dhe në mënyrë të mençur, sepse ua la dopio gjashtën në dorë organizatorëve që përgatitën një destabilizim në shkallë të gjerë të zonës. Ky është një konflikt në miniaturë i ngjashëm me Rusinë dhe Ukrainën.

Milan Radoiçiç në krye të grupit terrorist jo vetëm kompromenton Listën Serbe, por edhe Beogradin. Për këtë rast duhet të hetohet në thellësi. Kjo është një intrigë në përmasa të mëdha që duhet të hetohet jo vetëm nga Kosova, por edhe nga faktorët ndërkombëtarë.

Një gjë mund të themi, hapja e një fronti luftarak në Ballkan është në favor të Rusisë, pasi ajo e ka jetike të shpërqendrojë vëmendjen e NATO-s me një vatër të re konflikti. Konflikti mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka të paguar në Moskë. Kosova e ka jetike një marrëveshje paqeje që do finalizonte konfliktin. Serbia nga ana tjetër nuk do marrëveshje, ndoshta nga e keqja do detyrohet një ditë, por strategjikisht Serbia nuk do marrëveshje, që ta mbajë gjallë pretendimin se Kosova është pjesë e tyre.

Lidershipi politik i Kosovës është i vetëdijshëm për këtë, ndaj nuk duhet të bëjnë lëshime, por të ndjekin udhëzimet e partnerëve ndërkombëtarë. Serbia ka luajtur dhe luan me përpjekjet e BE për integrimin e tyre në Europë. Serbia nuk humbet asgjë edhe nëse nuk ia japin kurrë anëtarësimin në BE”, u shpreh Zogaj ndër të tjera.

TRENDING

Exit mobile version