Kosova

Trajkoviç ka një lajm të mirë e një të keq/ Mbarojnë vuajtjet për serbët

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviç e ka konsideruar lajm të shkëlqyeshëm emërimin e eurodeputetit slloven, Matjazh Nemec si raportues për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta nga Serbia.

Trajkoviç ka shkruar në rrjetin social X se deri më tani serbët nga Kosova kanë marrë pasaporta serbe pa “Shengen të bardhë”, për të shmangur, siç ka thënë ajo, pabarazinë e të drejtave me pasaportat kosovare në të njëjtin territor.

“Me liberalizimin e vizave për Kosovën, serbët nuk duhet të lejohen të vuajnë sërish për hir të politikës në përgjithësi dhe politikës së Aleksandër Vuçiçit në veçanti” – theksoi Trajkoviç.

Deputeti i Parlamentit Evropian Matjazh Nemec është emëruar dje raportues për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës me pasaporta serbe të lëshuara nga Autoriteti Koordinues në Beograd.

Eurodeputeti slloven ka njoftuar në rrjetin social X se Komisioni për Punë të Brendshme, Drejtësi dhe Liri Civile (LIBE) i PE-së e ka emëruar raportues për heqjen e vizave për serbët e Kosovës dhe se “shpreson në pranimin e shpejtë” të një vendimi të tillë.

Kujtojmë se më herët, Trajkoviç ka vlerësuar se për elektoratin e Partisë Progresive Serbe dhe Aleksandër Vuçiçit, marrja e ndihmës prej 10 mijë dinarë (rreth 85 euro) është më e rëndësishme se statusi i Kosovës.

Trajkoviç i tha agjencisë ‘Beta’ se në zgjedhjet e fundit, Vuçiç ka korruptuar votuesit dhe se kjo tregon që shumica e serbëve nuk janë të përkushtuar fort ndaj asaj që ajo e ka quajtur kombëtare.

E pyetur nëse Qeveria e Serbisë do t’i njohë pasaportat e Republikës së Kosovës, Rada Trajkoviç u shpreh se Beogradi tashmë i ka njohur të gjitha dokumentet e Kosovës dhe do t’i zbatojë të gjitha obligimet e pranuara nga Marrëveshja e Ohrit.

Lidhur me këtë, Trajkoviç mendon se ngjarjet në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar, ia kanë zbehur fuqinë në bisedime, presidentit serb.

Ajo u shpreh gjithashtu se Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, janë një “çift i përsosur”, dhe akuzoi ata për përshkallëzimin e situatës.

Në një intervistë për institutin turk që kryen kërkime mbi politikën e jashtme dhe të drejtat e njeriut, Trajkoviç ka theksuar se situata është përkeqësuar kohën e fundit dhe veprimet e të dyja palëve kanë  ringjalluar urrejtjen e vjetër etnike në vend që të promovonin pajtimin mes dy popujve përmes dialogut për normalizimin e raporteve nën kujdesin e Bashkimit Evropian.

TRENDING

Exit mobile version