Aktualitet

U dhunuan nga fisi Rraja/ Prokuroria: Majës iu thyhen kocka në kokë e trup, por nuk iu rrezikua jeta

Lehtësimi i akuzës nga prokuroria e Tiranës për anëtarët e fisit Rraja, të cilët dhunuan brutalisht dy kushërinjtë Maja në 6 Korrik, ka lehtësuar ndjeshëm pozitën e anëtarëve të fisit Rraja përballë drejtësisë.

Prokuroria argumentin se është bazuar në një ekspertizë-mjekoligjore për ndryshimin e akuzës nga plagosje e rëndë në plagosje të lehtë.

Sipas akuzës, dhuna që është ushtruar ndaj dy kushërinjve Maja nga anëtarë të fisit Rraja, nuk u ka rrezikuar jetën, pavarësisht se ekspertiza ka zbuluar se një prej të dhunuarve ka pësuar thyerje kockash në kokë e trup.

Për të dëmtuarin Jashar Maja, prokuroria shpjegon se akti i ekspertimit mjeko ligjor ka përcaktuar se në trupin e tij u konstatua “plagë në lëkurën e kokës si dhe shembje të indeve të buta të kokës dhe të trupit, dëmtime të shkaktuar me mjet të forte”.

Dëmtime që shkruhet në një dokument të prokurorisë, “nuk kane qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tille hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve që kane sjelle si pasoje humbje të aftësisë së përkohshme për punë, në masën mbi nëntë ditë”.

Ndërsa për të plagosurin tjetër Bilbil Maja konstatohen dëmtime më të rënda.

Bilbil Maja është i plagosuri që shihet në videon e publikuar në rrjete sociale e media i shtrirë përtokë nga dhuna e Rrajave, i gjakosur nga goditjet brutale që e katandisën gjysmë të vdekur, të pafuqishëm as për tu ngritur në këmbë.

Sipas prokurorisë, Bilbil Maja ka pasur thyerje kockash në kokë e trup.

Nëpërmjet të dhënave dhe konkluzioneve të aktit të ekspertimit mjeko ligjor, mësohet se, në trupin e shtetasit Bilbil Maja u konstatua thyerje kockash frontale-parietale të anës së djathte të kokës, demtime të indit trunor, plagë në lëkuren e kokës, thyerje e kockës ulnare të parakrahut të majte si dhe shembje të indeve të buta të kokës dhe të trupit, dëmtime të shkaktuar me mjet të forte”, thotë prokuroria.

Pasi renditen dëmtimet e sipërpërmendura, në dokumentin e akuzës thuhet se ato “nuk kane qene te rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tillë hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve, që kanë sjellë si pasojë humbje të aftësisë së përkohshme për punë, në masën mbi nëntë ditë”.

“Mbështetur në kriterin mjekësor të parashikuar në ligj, dëmtimet e shtetasve Jashar e Bilbil Maja, e klasifikojnë veprën penale të kryer ndaj tyre si, ‘Plagosja e lehtë me dashje’”, thuhet në shkresën e prokurorisë.

Akuza e re kërkon ankim nga të dëmtuarit me qëllim që të vijojë hetimi. Sipas parashikimeve ligjore, në mungesë të ankimit, çështja penale ndaj Rraja mund të mbyllet. Ndërsa në rast të shpalljes fajtorë nga gjykata, marzhi i dënimit për autorët e dhunës ulet ndjeshëm.

TRENDING

Exit mobile version