U kapën në portin e Durrësit me leje qëndrimi rumune dhe dokumente të falsifikuara, dy të arrestuar

Dy persona kanë rënë në pranga në portin e Durrësit, pasi u kapën me leje drejtimi, leje qëndrimi dhe karta shëndeti që dyshohet se kanë qenë të falsifikuara. Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit me inicialet Sh. L., 50 vjeç, banues në Kavajë dhe A. B., 36 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, gjatë kontrollit të mjetit autobus tip “Kinglong” me drejtues shtetasin A. B. dhe menaxher shtetasin Sh. L., kanë gjetur 2 leje qëndrimi rumune, 2 leje drejtimi rumune dhe 2 karta shëndeti rumune të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, gjatë kontrollit iu gjetën edhe dy pasaporta shqiptare që rezultojnë se personat që i posedojnë këto pasaporta janë në Itali. Dy shtetasit e arrestuar dyshohet se i kishin marrë pasaportat për t’i vulosur në Shqipëri, me qëllim që poseduesit e tyre të mos penalizoheshin për shkeljen e afatit 90-ditor në zonën Schengen.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, kryer në bashkëpunim.

Related Posts

Kategorite

BIoscalin