Sikur Juventusi të mos kishte fituar ndaj Interit, ajo pakënaqësi e hapur e Kristiano Ronaldos për zëvendësimin në minutën e 76-të nuk do të kishte kaluar aq lehtë në “San Siro”. Por fakti që bardhezinjtë mundnin rivalët e përjetshëm në kupë dhe hakmerreshin për disfatën në kampionat, më 17 janar, sigurisht që gjithçka kaloi në plan të dytë. Ndoshta, Ronaldo do të kishte dashur të luante deri në fund, pse jo për të kërkuar një gol të tretë në atë takim, duke parë se Interi kishte nisur të linte shumë hapësira prapa, pasi u lëshua i gjithi në sulm për të tentuar barazimin.
Por trajneri Pirlo e mendoi ndryshe, pasi kërkonte një Ronaldo më të freskët edhe për duelin me Romën, ndonëse portugezi e mendonte ndryshe. Gjithsesi, siç konfirmon “Corriere della Sera”, pas ndeshjes me Interin, Pirlo dhe Ronaldo kanë folur bashkë në dhomat e zhveshjes së “San Siros”, kanë rivendosur edhe njëherë tjetër një pak mes tyre për të menaxhuar forcat e grupit, duke nisur pikërisht nga CR7, duke parë edhe impenjimet e shumta, sidomos në këtë muaj. Ronaldo nga ana e tij, pavarësisht nervozizmit për zëvendësimin, ka pranuar ftesën e bërë nga trajneri Pirlo. Kjo shtrim dore nga ana e portugezit shihet rrallë herë ndaj një trajneri të tij. Madje, një sjellje e tillë është parë nga 36-vjeçari vetëm me Zidanin dhe Ançelotin në kohën e Realit të Madridit. Dhe pse jo, pas pakteve të pranuara, fundi i sezonit solli gjithmonë… Championsi-in.
PANORAMASPORT.AL