Bota

U lejua të shkojë në Shkup, Lavrov me akuza, përmend edhe Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, në fjalimin e mbajtur në samitin e OSBE-së në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ka akuzuar shtetet perëndimore dhe Aleancën Veri-atlantike për, siç është shprehur, “shkatërrimin e OSBE-së”, e cila, sipas tij, ndodhet në “gjendje të keqe dhe perspektiva të paqarta”.

“Vendet e NATO-s dhe BE-së shkatërruan dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së. Në vitin 1999, NATO kreu një agresion brutal kundër Jugosllavisë – një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së. Dhe, në vitin 2008, duke shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve në Evropë nga akti final i Helsinkit, Serbisë iu rrëmbye Kosova pa asnjë referendum” – ka deklaruar Lavrov.

“Ka qenë në traditën tonë që të kemi fjalime pozitive, por kjo nuk po ndodh sepse OSBE-ja është bërë vegël e Bashkimit Evropian” – theksoi Ministri I Jashtëm rus.

Sipas tij, “OSBE-ja ka heshtur, kur qytetarëve u është mohuar e drejta e përdorimit të rusishtes” edhe pse, sipas tij, “aktet ndërkombëtare garantonin përdorimin e gjuhëve për të gjitha minoritetet”.

Ai ka folur gjithashtu edhe për sanksionet që Perëndimi vendosi ndaj Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë.

“Në një përpjekje për të shkatërruar ekonominë ruse, SHBA-ja dhe satelitët e saj evropianë kanë vendosur mijëra sanksione ndaj Rusisë, duke i dhënë fund bashkëpunimit të gjerë praktik midis Lindjes dhe Perëndimit në rajonin tonë dikur të përbashkët” – ka potencuar Lavrov

Disa nga ministrat e vendeve pjesëmarrës në samitin e OSBE-së në Shkup e bojkotuan fjalimin e ministrit rus të Punëve të Jashtme. Ata u ngritën dhe u larguan nga salla menjëherë pasi kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, paralajmëroi fjalimin e shefit të diplomacisë ruse.

Pjesëmarrja e diplomatit rus në samitin e OSBE-së paraprakisht ishte mundësuar nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.

TRENDING

Exit mobile version