Radhë të gjata shihen jashtë qendrave mjekësore në Beograd. Programi serb i vaksinimit vazhdon me aktivitet të plotë, falë shpërndarjes së fundit të një milion doza të vaksinës kineze Sinopharm.
Deri më tani, dozat e administruara në Serbi janë mbi 310,000, me vendin që është ndër të parët në Europë për numrin e vaksinuarve në raport me popullsinë.
Akuzat e Presidentit Vuçiç
Serbia është mbështetur në tre lloje të vaksinave: ‘Sinopharm’, ajo ruse ‘Sputnik V’ dhe ‘Pfizer-BioNTech’.
Shumë nuk e kanë pritur mirë vaksinën kineze, pasi sipas tyre ajo është më pak efektive (sipas studimeve paraprake të Fazës 3, të botuara muajin e kaluar).
Por sipas Presidentit Aleksandër Vuçiç, vendit të tij – si dhe vendeve të tjera “më pak të pasura” – nuk iu la me shumë zgjedhje.
“Bota është goditur nga një ajsberg, ashtu si Titaniku i famshëm,” shpjegoi kreu i shtetit serb gjatë një interviste televizive.
“Të pasurit vetëm po ruajnë veten dhe të dashurit e tyre. Ata kanë përgatitur varka shpëtimi të shtrenjta për vete, kurse vendet e Ballkanit Perëndimorë, të varfër, po mbyten së bashku me Titanikun. Ndoshta ky nuk është qëllimi i të pasurve, por për fatin tone të keq, ne të varfërit nuk jemi të rëndësishëm pët ta”.
Vuçiç tha gjithashtu se Serbia tashmë ka nënshkruar kontrata për furnizimin me 6.5 milionë doza të vaksinës, por “problemi është se nuk ka vaksina”.
Presidenti gjithashtu konfirmoi se do të vaksinohet me kinezen ‘Sinopharm’, por se ai po pret radhën e tij, duke dashur t’i japë përparësi kategorive prioritare dhe më të rrezikuara.