Mbretëria e Bashkuar nisi sot një testim “derë më derë” për COVID-19 te 80.000 njerëzve, si një përpjekje për të ndaluar përhapjen e një varianti të ri shumë infektues të koronavirusit të Afrikës së Jugut.
Sipas mediave të huaja, autoritetet shëndetësore të Anglisë kanë thënë se kanë identifikuar një total prej 105 rastesh të variantit të Afrikës së Jugut që nga 22 dhjetori dhe për të shmangur shpërthime të reja, banorët në tetë zona të vendit tani do të testohen nëse janë apo jo duke shfaqur simptoma.
Siç bëhet e ditur më tej, ka rreth 10.000 njerëz në secilën zonë. Tre janë në Londër, dy në juglindje, një në Anglinë qendrore, një në lindje dhe një tjetër në veriperëndim.
Mediat britanike bëjnë të ditur se ata në zonat e prekura do të testohen, edhe nëse janë asimptomatikë, për të “këputur zinxhirin” e transmetimit në komunitet.
Britania po përgatit një program vaksinimi masiv, me gati 9.3 milionë persona që kanë marrë dozën e parë të vaksinës dhe qeveria e zyrtarët shëndetësorë janë të shqetësuar se variante të reja do të minojnë përpjekjet e saj për të vënë nën kontroll pandeminë.