Kosova

Video-propaganda e LVV, reagon opozita: Fashizëm politik

‘Lëvizja Vetëvendosje’ ka publikuar një video në faqen zyrtare në Facebook, përmes së cilës ka akuzuar qeveritë e kaluara për keqqeverisje, ndërsa sindikatat i ka quajtur partiake. Ndaj kësaj videoje ka reaguar ish-kryeministri dhe njëherësh deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili e ka quajtur atë ‘fashizëm politik’.

“Sjellja e partisë në pushtet, me video montazhe plot shpifje, është fashizëm politik dhe urrejtje vetëm se i përket një grupi tjetër politik. Fundi i çdo lloj fashizmi dihet”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai më tej ka thënë se në kohën kur duhet punuar në krijimin e unitetit politik për sfidat që e presin vendin, Albin Kurti “do t’i iki përgjegjësisë”.

“Në kohën kur delegacioni i lartë i partnerëve kryesorë të Kosovës zbarkon në Prishtinë, me të cilët duhet të ulen e të dakordësohen të gjitha partitë politike, këta të pabesë nxisin urrejtje politike. Propaganda shpifëse dhe mashtrimi nuk po kryejnë më punë. Tashmë ata kanë prekur fundin” – shkruan ish kryeministri Hoti

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se gjatë dy vitesh në qeverisje, LVV-ja dhe kryeministri Albin Kurti të vetmen gjë që kanë prodhuar janë videot me propagandë.

“Duhet të jesh në një gjendje fort të mjerueshme politike siç janë sot Vetëvendosja dhe Albin Kurti, që pas dy vite qeverisje, të vetmen gjë që kanë prodhuar, janë videot – propagandë ku sulmohen kundërshtarët politik me akuza e kundër akuza” – ka shkruar Tahiri në Facebook.

Linku i videos

https://www.facebook.com/watch/?v=925735002135374

TRENDING

Exit mobile version