Kosova

Vizat për Kosovën, në të 40-at e vdekjes së shpresës

Telenovela pa viza – Vendimi teknik pritet në të 40-at e vdekjes së shpresës

Diskutimet për liberalizimin e vizave për Kosovën do të vazhdojnë në grupin e punës të Këshillit të Bashkimit Evropian i cili do të nis më 9 nëntor dhe mendohet se një përgjigje teknike mund të jetë gati më 25 nëntor,  pra në të 40-at e shpresës se Komisioni Europian do të kishte shtypur butonin e semaforit të gjelbër. Burime diplomatike nga Brukseli, thane se “deri atëherë, vendet anëtare do të zhvillojnë konsultime ndërmjet tyre”

Deri tani është parë se një shumicë e madhe e vendeve anëtare të BE-së mbështesin vendimin për liberalizimin e vizave, por akoma ka vende, në krye të së cilave është Franca, të cilat duan që vendimin për liberalizimin e vizave, apo hyrjen e tij në fuqi, ta ndërlidhin edhe me disa çështje tjera.

Ndër to janë vënia në funksion e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, përshtatja e Kosovës me politikën e vizave të BE-së, rritja e kontrollit të kufijve dhe riatdhesimet, me pak fjalë ‘telenovelë pa viza’.

Një varg shtetesh dhe Komisioni Evropian e konsiderojnë të panevojshme dhe të paarsyeshme ndërlidhjen e procesit të liberalizimit të vizave me sistemin ETIAS, pasi sipas tyre, ai është një sistem teknik, hyrja e të cilit në fuqi varet nga gatishmëria teknike e vetë BE-së. Disa shtete, e në mesin e tyre përmendet Holanda, Belgjika, Suedia dhe Spanja, kanë shprehur mirëkuptim për këtë propozim të Francës, por shumë shtete tjera, përfshirë edhe Gjermaninë, e kanë kundërshtuar.

Kristof Bender, zëvendësdrejtor i Iniciativës për Stabilitet Evropian ka përmendur faktin se qytetarët e vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor tashmë lëvizin pa viza dhe nuk kanë nevojë të presin për sistemin ETIAS.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i ka konsideruar si kushte të reja idetë që janë diskutuar më 13 tetor në grupin e punës për vizat në Këshillin Evropian, lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën qysh në vitin 2018. Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se kriteret janë përmbushur.

 

 

TRENDING

Exit mobile version