KOSOVË- Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit në Kuvendin e Kosovës. Sipas Kushtetutës së Kosovës duhet të jenë të paktën 81 vota në mënyrë që procesi i zgjedhjes së presidentit të jetë kushtetues.
Në një intervistë për “Kallxo Pernime”, Osmani është shprehur e bindur se ka njerëz në LDK që besojnë se zgjidhja më e mirë është që ajo të jetë presidente.
“Unë jam e bindur që ka shumë njerëz që sot janë qoftë kryetarë komunash, qoftë njerëz të LDK-së, besojnë që një zgjidhje e tillë (Vjosa presidente) do të ishte më e mira për vendin tonë. Është në vullnetin e deputetëve, edhe të LDK-së. Mendoj që të gjithë deputetët duhet të jenë të përgjegjshëm dhe pastaj mund të votojnë si të duan,”-ka thënë ajo.
Gjithashtu, ajo ka thënë se nuk ka biseduar me asnjë parti,për të kuptuar se cili është qëndrimi i tyre në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Ne nuk kemi biseduar me ndonjë parti specifike, por ne bashkëpunojmë më të gjitha partitë në Kuvend, për t’i mbrojtur institucionet. Thirrja jonë për të gjithë është që për hir të stabilitetit institucional, të kontribuojnë. Se çfarë vote japin, ajo është çështje e tyre. Secili deputet e di se Vjosa Osmani si presidente nuk i bën e as nuk i ka bërë kurrë dëm vendit të saj, por përkundrazi në bashkëpunim me të tjerët do ta çoj përpara. Ne presim që secili deputet në mënyrë racionale të veproj në interes të Republikës, sepse edhe ashtu mundësi të tjera nuk ka. Mundësia tjetër na çon në zgjedhje”, tha tutje ushtruesja e detyrës së presidentes.
Osmani, po ashtu ka thënë se në rast se zgjidhjet presidente ajo ka tre prioritete. Tre prioritet e saj do të jetë politika e jashtme, vettingu dhe anëtarsimi në NATO.
“Kosova ka degraduar shumë në imazhin e saj ndërkombëtar, sidomos nga viti 2010. Këtu do të jetë fokusi im i parë që të punoj që imazhi i Kosovës do të jetë ajo e rinisë sonë brilante, pra politika e jashtme. Do të angazhohem në procesin e vettingut si dhe do të angazhohem edhe për grupet e margjinalizuara si dhe në aspektin e sigurisë. Do të punoj që FSK të ketë buxhetin e nevojshëm si dhe anëtarësimi në NATO”, tha Osmani.
Ajo ka thënë në fund se do të jetë në bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje për çdo vendim që do të merret.
“Ne synojmë që të jemi një grup i përbashkët parlamentar. Por në ndërkohë, nëse e shohim që mund të funksionojmë të veprojmë ndryshe, atëherë do të shohim. Jam e bindur që çdo vendim të merret bashkërisht dhe në interes të shtetit tonë”, u shpreh Osmani.
Kosova ka përfunduar numërimin e votave për zgjedhjet, pa përfshirë ato të Diasporës ato me kusht për të cilën nuk është përcaktuar datë se kur do të numërohen. Deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, ka shënuar rekord me 47.85% të votave, ose të konvertuara ndryshe 378.550 vota. Vendin e dytë pas LVV-së, e zë Partia Demokratike e Kosovës, me 17,41 për qind të votave dhe pas saj LDK-ja me 13,08 për qind. Ndërkaq, AAK e Ramush Haradinajt ka marrë 7,43 për qind, ndërsa Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, 2,60 për qind. Edhe Lista Serbe ka fituar mbi 99% të votave në Mitrovicën e Veriut, por kësaj herë ka të zgjedhur edhe nga komunitetet e tjera.