Kronike

Vrasja e 15-vjeçarit në Gramsh, Kushi: Jemi të tronditur

Ministrja e Arsimit Evis Kushi shprehet se është tronditur nga vrasja e 15-vjeçarit në Gramsh, pas një sherri me bashkëmoshatarët e tij. Në një postim në Facebook, përveç keqardhjes, Kushi shton si argument dhe faktin që sherri mes të miturve që pasoi me një viktimë, nuk ka ndodhur brenda ambienteve të shkollës. Ajo shton gjithashtu se së bashku me institucionet e tjera ligjzbatuese, prindërit dhe familjet, duhet forcuar bashkëpunimi për të luftuar fenomenet negative tek fëmijët dhe të rinjtë, të cilat çojnë në ngjarje të tilla të rënda.

Reagimi i Kushit:

Jam thellësisht e tronditur nga ngjarja e ndodhur sot në Gramsh, ku një adoleshent ka humbur jetën si pasojë e një konflikti me bashkëmoshatarët e tij. Pavarësisht se kjo ngjarje ka ndodhur në rrugë, jashtë mjediseve të shkollës, institucionet tona arsimore, së bashku me institucionet e tjera ligjzbatuese, prindërit dhe familjet, duhet të forcojmë më shumë bashkëpunimin për të luftuar fenomenet negative tek fëmijët dhe të rinjtë, të cilat çojnë në ngjarje të tilla të rënda. Një nga prioritetet në sistemin tonë arsimor është forcimi i sigurisë në shkolla, për të cilën punojmë fort duke rritur nga viti në vit numrin e punonjësve të shërbimit psiko-social dhe oficerëve të sigurisë, si dhe duke i trajnuar ata dhe mësuesit në mënyrë të vazhdueshme. Megjithatë, ne duhet të reflektojmë të gjithë si shoqëri që të rrisim vigjilencën për të parandaluar, identifikuar dhe menaxhuar raste të konfliktit në shkollë, familje dhe kudo tjetër. Shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen e adoleshentit, duke shpresuar që të mos kemi kurrë më ngjarje të tilla.

Një sherr me thika mes disa adoleshentëve në Gramsh, ka sjellë një bilanc tragjik me vdekjen e një 15-vjeçari, nxënës në klasën e nëntë. Viktima është Fatjon Bici. Ngjarja ndodhi pranë shkollës 9-vjeçare “Asllan Shahini”. I plagosur ka mbeutr edhe një 15-vjeçar tjetër, Marko Liçi, i cili është në spital jashtë rrezikut për jetën. Viktima dhe i plagosuri janë kushërinj dhe janë përleshur me katër adoleshentë të tjerë për një sherr të nisur pak ditë më parë në rrjetet sociale. Katër të tjerë janë shoqëruar në polici për tu marrë në pyetje, mes tyre dhe autori.

TRENDING

Exit mobile version