Kronike

Vrasja e zjarrfikësit italian/ Babai i viktimës sulmon në sallën e gjyqit autorin shqiptar

Është shoqëruar me tensione seanca e parë gjyqësore në Rimini të Italisë ndaj 28-vjeçarit shqiptar, Klajdi Mjeshtri, i cili akuzohet për vrasjen e 34-vjeçari, Giuseppe Tucci. Ngjarja ka ndodhur më 12 qershor të vitit të kaluar në një rrugicë pranë një klubi nate në Rimini, ku shqiptari ka goditur me grushta për vdekje italianin.

Sipas mediave italiane, gjatë seancës, babai i viktimës, ka sulmuar të riun shqiptar që i vrau djalin, aq sa ka qenë e nevojshme ndërhyrja e Policisë së Burgjeve për të vendosur qetësinë.

“Ishte një ditë shumë e vështirë. Kur u gjenda përballë vrasësit të djalit tim u nervozova, ai as që më shikoi në fytyrë. Më pas kuptova situatën dhe u qetësova”, tha Tucci.

Pas raporteve mjeko-ligjore, sot gjyqtari i çështjes Vinicio Cantarini pranoi gjykimin e shkurtuar ndaj shqiptarit, i cili llogarit uljen e 1/3 të dënimit.Ndërkohë seanca e ardhshme është vendosur të mbahet më 20 mars, ku pritet të caktohet një mjek i tretë, i cili do të duhet të analizojë rezultatet e autopsisë në trupin e zjarrfikësit.

Sipas ekspertit mjekësor për mbrojtjen, vdekja e Giuseppe Tucci erdhi si pasojë e një goditjeje në pjesën e pasme të kokës pas një rënieje në tokë. Eksperti mbrojtës pretendon se shkaku i vdekjes së 34-vjeçarit nuk ishin grushtet e qëlluara nga shqiptari që punonte në mënyrë të paligjshme në klub atë natë, por rënia në asfalt.

Për më tepër, në të njëjtën kohë, eksperti mjekësor mbështet tezën sipas së cilës Tucci vdiq pas disa orëve të tëra përpjekjesh për ta mbajtur në jetë, pasi mjekimet nuk bënin efekt për shkak të sasisë së alkoolit që kishte konsumuar. Kështu mbrojtja tenton të heqë hipotezën e vrasjes me dashje të kundërshtuar nga prokuroria, duke e zëvendësuar atë me vrasjen nga pakujdesia apo edhe vdekjen si pasojë e një krimi tjetër.

Ndërkohë sipas asaj që rezultoi nga ekzaminimi i autopsisë në trupin e zjarrfikësit italian, të kryer nga mjeku Donatelli Fedeli, vdekja e 34-vjeçarit ka ardhur drejtpërdrejt nga 5 grushtet e hedhura nga Mjeshtri: dy të parat pranë tëmthit, më pas dy të tjerat anash dhe një në kokë.

TRENDING

Exit mobile version