Kosova

Vuçiç dërgon ferman në Bruksel, zgjedh një tjetër rrugë

Serbia përmes një letre zyrtare ka kundërshtuar deklaratën e lëshuar nga Bashkimi Evropian pas Samitit me Ballkanin Perëndimor që u mbajt më 13 dhjetor në Bruksel. Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç ka depozituar një qëndrim rezervues ndaj deklaratës së BE-së duke thënë se “Kosova vazhdon të jetë pjesë integrale e Serbisë në pajtim me Rezolutën 1244”.

Në dokument gjithashtu shprehet papajtueshmëria e Serbisë për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe në agjencitë e tjera të OKB-së.

Brnabiç ka theksuar se Serbia e konsideron formulimin për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit vetëm në kontekstin që nuk i referohet ndonjë njohjeje de-facto apo de-jure të Kosovës.

“Dokumenti i lartpërmendur nuk paraqet një kontratë juridikisht obligative sipas të drejtës ndërkombëtare. Për më tepër, përafrimi me këtë deklaratë nuk ndikon në faktin se Kosova mbetet pjesë integrale e territorit të Republikës së Serbisë nën administrimin ndërkombëtar në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999” –  thuhet në tekstin e deklaratës së Brnabiç dërguar BE-së.

Ky qëndrim i Serbisë është kundërshtim i hapur i Marrëveshjes së Ohrit dhe thirrjes së Macron, Scholz dhe Meloni. Treshja evropiane bashkë me zyrtarët më të lartë të BE-së përmes një qëndrimi të përbashkët kishin kërkuar që Kosova të themelojë Asociacionin dhe Serbia t’ia japë Kosovës njohjen de-facto. Gjithashtu kanë kërkuar implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe pajtim për Aneksin e Implementimit.

Në dokumentin e publikuar nga Bashkimi Evropian pas Samitit thuhet se Brukseli pret përparim lidhur me normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Aty bëhej thirrje për zbatim të Ohrit e Aneksit të Implementimit dhe marrëveshjet e kaluara në kuadër të dialogut.

“Ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe të Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu presim angazhim konstruktiv nga të dy palët në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve , gjë që është kritike për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit. Ne gjithashtu presim që palët të vazhdojnë përpjekje të qëndrueshme për uljen e tensionit në përputhje me kërkesat e BE-së dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që mund të çojnë në tensione, dhunë të mëtejshme dhe retorikë që nuk është e favorshme për normalizimin e marrëdhënieve” –  thuhet në deklaratën e BE

TRENDING

Exit mobile version