Shkrime

Vuçiç ecën mbi litarin e hollë/ Opinion nga James McBride

“Përpjekjet për të përfshirë popujt e Ballkanit në organizatat perëndimore kanë provokuar gjithmonë rezistencë nga Rusia, si dhe nga grupet vendase nacionaliste dhe separatiste që ajo mbështet. Tensionet në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe situata e pazgjidhur rreth Kosovës, i shërbejnë Moskës për të ruajtur ndikimin e saj dhe për të dobësuar BE-në dhe NATO-n” – kështu vlerëson James McBride, analist në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë. Sipas tij, Rusia ka luajtur prej kohësh një rol udhëheqës në rajonin e Ballkanit, duke ofruar mbështetje për aleatët sllavë dhe ortodoksë në Serbi dhe vendet përreth. Eksperti i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë pajtohet me vlerësimin se pushtimi i Putinit në Ukrainë “ngriti rrezikun për qeveritë e Ballkanit”. Në këtë kontekst, ai thekson se situata në Serbi është ndoshta më e paqëndrueshme, sepse presidenti Aleksandër Vuçiç kundërshton përpjekjet e Bashkimit Evropian për të izoluar Moskën, duke ruajtur lidhjet e kahershme të Serbisë me Rusinë, e cila është veçanërisht e dukshme në shembullin e varësisë nga Burimet ruse të energjisë dhe mbështetja diplomatike e Rusisë për qëndrimin e Serbisë për Kosovën. “Deri më tani Vuçiç ka ecur në një litar të hollë, duke zemëruar Moskën dhe shumë nga mbështetësit e tij duke iu bashkuar rezolutës së OKB-së që dënon pushtimin e Ukrainës dhe refuzon të njohë territoret e aneksuara nga Rusia. Në të njëjtën kohë, ai ka zhgënjyer liderët e BE-së duke refuzuar të bashkohet me regjimin e sanksioneve kundër Rusisë” – u shpreh James McBride duke shtuar se Moska ka kohë që kërkon të kundërbalancojë Perëndimin në Ballkan, gjë që e ka bërë duke mbështetur aleatët e saj serbë, që nga koha kur Rusia ishte perandori, kur u vendosën “lidhjet kulturore, politike dhe fetare me Ballkanin”. Analisti I njohur theksoi se zgjerimi i NATO-s është gjithashtu një nga arsyet pse Putini ankohet për Perëndimin. Siç shpjegoi ai, presidenti rus pretendon se liderët perëndimorë kanë thyer angazhimin e tyre për të hequr dorë nga zgjerimi në Lindje, dhe në vend të kësaj po kërkojnë të “rrethojnë dhe shkatërrojnë Rusinë”. Prandaj, Moska i sheh marrëdhëniet e ngushta me vendet e Ballkanit si një mjet për të penguar hyrjen e tyre në NATO dhe BE, si dhe një mënyrë për të demonstruar fuqinë e saj detare në Detin Mesdhe, që është një tjetër synim i kahershëm i regjimit rus. – James McBride vëren se duke bllokuar përpjekjen e Kosovës për të fituar njohjen nga Kombet e Bashkuara, Moska e pozicionoi veten si “mbrojtëse e integritetit territorial të Serbisë”, gjë që rriti popullaritetin e Rusisë në mesin e serbëve dhe bëri presion mbi Beogradin për të mbajtur marrëdhënie miqësore me Moskën. Ai gjithashtu vlerëson se vendet dhe institucionet perëndimore janë përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet për stabilizimin e rajonit të Ballkanit, “që kur misionet e para luftarake të NATO-s ndihmuan për të sjellë serbët në tryezën e bisedimeve në vitet 1990” dhe theksoi se Serbia nuk e njohu pavarësinë e Kosovës, prandaj BE-ja u përpoq të kapërcejë hendekun mes Beogradit dhe Prishtinës. James McBride përcolli edhe paralajmërimin e Ivana Stradner, bashkëpunëtore kërkimore e Institutit Amerikan, se pasiviteti i Perëndimit hap derën për pjesëmarrje më të madhe ruse dhe se Uashingtoni, duke u fokusuar në Lindjen e Mesme, e ka zhvendosur Ballkanin Perëndimor “në sfond”. Sipas James McBride, i gjithë gadishulli Ballkanik herët a vonë do të integrohet në institucionet e Atlantikut. Duke pasur parasysh prirjen e rajonit për konflikte etnike, është më mirë që kjo të ndodhë më shpejt se më vonë.

 

 

TRENDING

Exit mobile version