Kosova

Vula e thatë në Bruksel/ Kosova të nis themelimin e Asociacionit, Serbia të japë njohjen de-facto

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeminsitrja italiane Giorgia Meloni kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët pas takimit që kanë mbajtur në Bruksel me kryeministrin e Kosovës  Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vucic. Në komunikatë thuhet se ata mirëpresin angazhimin e të dy palëve në diskutimet e fundit dhe se i marrin parasysh komentet e të dy liderëve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe gatishmërinë e tyre të shprehur për ta zbatuar. “Draft statuti që ne paraqitëm dhe miratojmë plotësisht përfshin një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuar nga palët” –  thuhet në komunikatë. Po aty thuhet se presin nga palët përmbushjen e angazhimeve për zbatimin e Marrëveshjes për Normalizim. Në reagim theksohet se faza e zbatimit duhet të përparojë me të dyja palët që përmbushin detyrime te tyre përkatëse paralelisht dhe hap pas hapi, bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. “Ne nënvizojmë edhe një herë pritshmërinë tonë që palët të përmbushin angazhimet e tyre. Faza e zbatimit duhet të përparojë nga të dyja palët që të përmbushin detyrimet përkatëse, paralelisht në mënyrë hap pas hapi, bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa” – theksohet në reagim. Macron, Scholz dhe Meloni në këtë qëndrim të përbashkët kanë thënë se për të arritur progres të shpejtë në zbatim, i bëjnë thirrje Kosovës që të nis procedurën e themelimit të Asociacionit si në draft-statut dhe gjithashtu i bëjnë thirrje Serbisë që të bëjë njohjen de-facto të Kosovës. Në fund, deklarata cilëson se në mungesë të përparimit, palët rrezikojnë të humbin shumë mundësi të rëndësishme.

TRENDING

Exit mobile version