Kosova

Vula e vendimeve/ Vuçiç tenton t’i jap rol misterioz këshilltarit britanik të Kurtit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e ka akuzuar Perëndimin dhe veçanërisht Marc Weller, këshilltarin britanik të kryeministrit Albin Kurti, se po e shtyn këtë të fundit, për të bërë “presion mbi popullin serb”.

Europianët dhe amerikanët nuk duan stabilitet në këtë moment, tha Vuçic në një paraqitje në TV Happy, nga ku tregoi se po pret përgjigje lidhur me kërkesën e Serbisë për mbajtjen e një seance të Këshillit të Sigurimit, duke u shprehur se nuk ka shumë shpresë se do t’i plotësohet.

Ai tha se situata është “jashtëzakonisht e vështirë”, duke shtuar se “dinari është valuta e vetme legale dhe Prishtina nuk mund të marrë leje për ta përdorur atë”.

“Mali i Zi mundet, sepse ka leje përmes Gjermanisë. Kosova nuk ka asgjë, sado që euro është legale në Mal të Zi, nuk është aq në Prishtinë” – tha Vuçiç.

Ai vlerësoi se europianët dhe amerikanët, sipas tij nuk duan destabilitet në këtë moment dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po nxitet nga ata. Në këtë pikë, ai foli për ekspertin britanik të angazhuar në ekipin e Kosovës në dialog, Marc Weller, i cili ishte këshilltar për Kosovën edhe në Konferencën e Rambujesë në vitin 1999.

“Ai ka një këshilltar për të cilin jam i sigurt se do të flitet më shumë në ditët në vijim, nga Britania e Madhe, me mbiemër gjerman, familja e të cilit ka vuajtur rëndë në Kosovë dhe që e udhëzon Kurtin drejt shumë prej atyre zgjidhjeve” –  theksoi Vuçiç.

Presidenti serb deklaroi se europianët dhe amerikanët po veprojnë bazuar në parimin “ju shtyni përpara, por ne do t’ju kritikojmë, do të flasim për sanksione, por nuk do të ketë sanksione”.

“Megjithatë, më duhet të pranoj se amerikanët ishin pak më të drejtë se europianët dhe do të shohim nëse do të jetë kështu në rrjedhën e mëtejshme të kësaj historie apo jo”, tha Vuçiç, teksa dhe u shpreh pesimist se do të miratohet kërkesa e Beogradit për seancë në Këshillin e Sigurimit  të OKB-së.

“Nuk besoj se do ta miratojnë”, tha Vuçiç, duke kujtuar se nga 15 anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nëntë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se miratimi i seancës kërkon pëlqimin e nëntë anëtarëve.

TRENDING

Exit mobile version