Kosova

Zbulohet komploti serb/ Serwer s’pajtohet me vlerësimet amerikane

Paralajmërimet e komunitetit të inteligjencës amerikane, në një raport të vlerësimit vjetor të kërcënimit në botë, se mund të ketë rrezik të shtuar në Ballkanin Perëndimor gjatë vitit 2024, i ka komentuar edhe Daniel Serwer, profesor i Universitetit amerikan ‘John Hopkins’.

Në këtë raport thuhet se “përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare çuan në vdekje dhe plagosje, duke përfshirë edhe trupat e NATO-s, në vitin 2023”.

Por, Serwer tha se kjo nuk është e saktë, duke shtuar se ka vetëm një agresor në veri të Kosovës dhe se duhet të jetë e qartë se kush është ai.

“Kjo është e gabuar. Incidenti në fakt ishte sulm ndaj forcave të NATO-s dhe duhet të jetë e qartë. Policia e Kosovës ndaloi me sukses komplotin serb që synonte të krijonte një justifikim për një avancim ushtarak serb në Kosovë. Ka një agresor në veri të Kosovës. Duhet ta kemi të qartë se kush është”, – ka shkruar në platoformën X.

Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkan, më herët në një prononcim për media, tha se në Amerikë dy krahët politikë kanë konsensus për de-eskalimin dhe se vazhdimi i situatës së njëjtë do të përkeqësojë gjendjen.

Megjithatë profesori amerikan u shpreh se nuk mendon që Kosova dhe Serbia kanë përgjegjësi të njëjtë kur vjen puna tek situata aktuale, e që sipas tij buron nga veprimet e Serbisë.

I pyetur nëse ky konsensus i politikës amerikane është një shenjë që tregon se kryeministri I Kosoves duhet të reflektojë, Serwer ka thënë se është i sigurt që Albin Kurti është në dijeni për shqetësimet e amerikanëve, gjithashtu edhe presidenti serb, Aleksander Vucic, por potencoi se është një gabim serioz, që Washingtoni nuk po i dërgon mesazhe të forta edhe Beogradit.

TRENDING

Exit mobile version