Kosova

ZBULOHET plani për Kosovën dhe Serbinë, ndahen territoret

“Ardhja e ish-presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, në krye të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, mund ta rikthejë në tavolinë idenë e vjetër të shkëmbimit të territoreve në rrethanat e reja gjeopolitike” – kështu vlerësojnë njohës të çështjeve politike, megjithëse shtojnë se emërimi i një emisari të ri s’do të çojë peshë nëse nuk rishikohet procesi në tërësi.

Në kushtet kur Kosovës i është bërë barrë e madhe pjesa problematike e veriut dhe kur themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është bërë “detyrë urgjente” dhe “hap ekzistencial”, ideja e ripërcaktimit të kufijve përgjatë vijave etnike ngrihet herë pas here, por, zgjidhja përmes aplikimit të këtij modeli kundërshtohet ashpër në Kosovë.

Përkundër se për shumë diplomatë dhe ekspertë vendorë e ndërkombëtar, perspektiva e ripërcaktimit të kufijve nuk duhet të izolohet a priori,- një operacion që mund të hapë rrugën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, – për shumë të tjerë, madje edhe për shumicën e politikanëve në vend, nuk duhet as të diskutohet për këtë çështje.

Ish-kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, ndonëse e konsideron lehtësues faktin që Pahori vjen nga një shtet njohës, tha se “Rekordi historik e diplomatik nuk është edhe shumë shpresëdhënës për interesin shtetëror të Republikës së Kosovës – duke qenë pjesë e diskutimeve – ashtu sikurse është raportuar para jo shumë viteve më parë – rreth idesë monstruoze të shkëmbimit të territoreve apo korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbisë”.

Duke parë trendin e zhvillimeve në pjesën veriore të territorit të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ideja e shkëmbimit të territoreve gjeti konsideratë të madhe nën administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, porse rivizatimi i kufijve shkaktoi “histeri” në kontinent. U kundërshtua edhe nga kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, por edhe nga opozita.

Disa shtete evropiane – përfshirë Slloveninë – përkrahën idenë e shkëmbimit të territoreve, ndërsa disa të tjerë u treguan mosbesues rreth idesë së ripërcaktimit të kufijve nga frika e hapjes së Kutisë së Pandorës në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në këtë rajon të rrethuar nga armiqësitë etnike, por ideja mund të rikthehet sërish në agjendën e bashkësisë ndërkombëtare.

TRENDING

Exit mobile version