PRISHTINË– 1900 persona, pjesë e personelit mjekësor në spitalet e Kosovës do të vaksinohen nga qeveria shqiptare. Lajmi që u njoftua më 1 janar 2020 nga kryeministri Edi Rama është “zbardhur” më tej sot nga gazeta Express. Në një artikull të botuar sot, media raporton se nga 10.700 dozat që Shqipëria do të marrë në fillim të javës së tretë të Janarit, një pjesë e tyre do të dërgohen në Kosovë për vaksinimin e personelit shëndetësor, që përllogaritet në 3800 doza, duke marrë parasysh se vaksina Pfizer/BioNtech merret me dy doza.
“Tashmë kanë ndarë sasinë e nevojshme të vaksinës anti-Covid për mantelbardhët të cilët janë të inkuadruar drejtpërdrejtë në trajtimin e pacientëve me COVID-19 në Kosovë. Në tërë vendin, në kuadër të ShSKUK-së janë 1,900 mjekë që do të vaksinohen me këto vaksina që do të na vijnë si ndihmë”, -citon burimi për median kosovare.
Ndërkohë që kryeministri Edi Rama njoftoi vetë më 1 janar 2021, se “nuk ia zgjidhim dot hallin totalisht Kosovës, por do t’ja qajmë”.
Marrëveshja Shqipëri-Pfizer u njoftua më 1 janar. Vendi ynë do të marrë 10.700 dozat e para në janar, 30 mijë në shkurt, ndërsa nuk ka të dhëna se kur do të vijnë dozat e tjera dhe si do të shpërndahen ato.