Shkrime

Zgjedhja e Xhaferit nuk është historike/ Enver Bytyçi tregon…

Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçit, zgjedhja e Talat Xhaferit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, nuk mund të quhet historike.

“Zgjedhja e Talat Xhaferit si kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut është natyrisht një ngjarje shumë e rëndësishme, që dëshmon për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë republikë. Ky avancim ka shkuar shkallë-shkallë, teksa na kujtohet sa entuziazëm krijoi para më shumë se dhjetë vitesh, kur zoti Xhaferi u emërua Ministër i Mbrojtjes së Maqedonisë. Pastaj kur u zgjodh kryetar i parlamentit të vendit. Por entuziazëm kishte edhe kur zoti Nuhiu u emërua Ministër i Punëve të Brendshme dhe zoti Osmani Ministër i Jashtëm. Tani kemi një kryeministër shqiptar të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kjo dëshmon shumë për rolin e subjekteve politike, sidomos të BDI-së, si dhe të shqiptarëve në republikën qendrore të Ballkanit. Por ky kryeministër nuk shënon histori, sepse është thjesht kreu i një ekzekutivi me detyra teknike e jo politike, si dhe është kryeministër i dale nga një formulë politike e koalicionit të mëparshëm qeverisës”, shprehet Bytyçi.

Siç thotë ai, Talat Xhaferi nuk është produkt i imponimit nga vota e sovranit. Pra sipas tij, është vendim përmes një marrëveshjeje politike, jo përfaqësim i votuesve.

“Formalisht vendosi edhe sovrani, sepse mori 65 vota deputetësh, nga 61 të nevojshme. Por sërishmi është produkt konsensusi midis socialdemokratëve dhe integralistëve në koalicionin qeverisës. Por unë personalisht jam gëzuar shumë jo se në Maqedoni ka një kryeministër shqiptar, por se ai e ka emrin Talat Xhaferi. Se mund të zgjedhësh kryeministër ndonjë Abazoviç që ta bjen kryepeshkopin serb në Shkup, e pastaj të dalësh e të bërtasësh “Maqedonia ka kryeministër shqiptar”! Talat Xhaferi, besoj fort, se nuk është Dritan Abazoviç”.

Por a mund të zgjidhet në të ardhmen një shqiptar kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga vota e sovranit?

“Problemi shtrohet nëse shqiptarët i kanë ose jo mundësitë praktike për të pasur kryeministër me mandat katër vjeçar në këtë vend. Është shumë e vështirë që partitë shqiptare të imponojnë zgjedhjen e një kryeministri me rrënjë shqiptare. Kryeministri zgjidhet me shumicën e thjeshtë dhe i takon partisë më të madhe në koalicion. Nuk besoj se ndonjë parti politike shqiptare në Maqedoni tejkalon numrat e njërës prej dy partive maqedonase”, deklaroi Bytyçi.

“Mundet që si një trupë e vetme shqiptarët të kishin më shumë deputetë sesa njëra nga partitë maqedonase dhe ta merrnin të drejtën e zgjedhjes së kryeministrit në koalicion. Por kjo mund të çojë në bashkimin në koalicion të partive maqedonase dhe partitë shqiptare të ishin në opozitë. Në këtë rast partitë shqiptare do imponoheshin me bllokime të ndryshimeve kushtetuese, sepse pa deputetët shqiptarë nuk mund të bëheshin ato. Nga këto kushtëzime shqiptarët lehtësisht mund të merrnin me rrotacion vendin e presidentit të Republikës. D.m.th. një mandat të ishte presidenti shqiptar e zëvendësi i tij maqedonas dhe një mandat tjetër e kundërta. Kjo mund të shkruhej në kushtetutë, për të mos mbetur fakultative. Dhe mund të imponohej. Në nevojat për ndryshime kushtetuese deputetët shqiptarë mund të imponojnë edhe ndryshime që rrisin pozitën politike, ekonomike, arsimore, sociale e kulturore të shqiptarëve”, shpjegoi Bytyçi.

Sipas tij, është me shumë rëndësi që shqiptarët të bëhen faktor përmes rritjes së tyre si faktor politik në parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

“Lufta e shqiptarëve nuk bëhet vetëm për pushtet, por edhe për prestigjin historik. Ky diabolizëm ne na le nën hijen e pushtetit të të tjerëve. Dhe pikërisht në funksion të kësaj aktivizohen më pas hijet e Beogradit në Shqipëri e Kosovë për të bërë propagandë” – theksoi Enver Bytyci

 

TRENDING

Exit mobile version