Ekonomi

Zhvlerësimi i euros/ Konfindustria: Ndërhyrja e BSH kot…duhet paketë financiare

Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor, për të përballuar zhvleftësimin e fortë të Euros kundrejt Lekut do të ishte pa asnjë ndikim dhe do të përfundonte në humbje të rënda dhe të panevojshme financiare, vlerëson Konfindustria.

Sipas këtij institucioni, ndihma e domosdoshme afatshkurtër për kategoritë e prekura të bizneseve duhet të kryhet nëpërmjet një pakete të jashtëzakonshme financiare të qeverisë.

“Përfundimi i mësipërm vjen duke pasur parasysh mënyrën e sotme të ndërtimit dhe funksionimit të sistemit ekonomik dhe financiar kombëtar, si dhe varësinë e fortë të tij në natyrën në masë të madhe informale të flukseve valutore të huaja.

Në harkun e një viti financiar 2022-2023, monedha Euro është zhvleftësuar në mbi 9% kundrejt Lekut duke prekur rëndë industritë dhe prodhimin vendor dhe sidomos eksportet shqiptare.

Vetëm industria e manifakturës përllogaritet të ketë humbje mbi 200 milionë euro nga mbiçmimi i panatyrshëm i Lekut. Grupet e bizneseve importuese janë përfituesit kryesorë të dobësimit të tejskajshëm të sforcuar të Euro-s kundrejt Lek-ut”, thuhet në njoftim.

Konfindustria kërkon, që ndërhyrja për mbrojtjen e industrive dhe prodhimit vendor, sidomos të eksporteve, duhet të kryhet nëpërmjet një pakete të ndërthurur ndihme financiare të drejtpërdrejtë për kategoritë më të prekura si dhe masa fiskale për uljen e kostove. Masat fiskale ndihmëse mund të fillojnë nga ulja e taksave dhe çmimeve të energjisë elektrike, të karburantit, të sigurimeve shoqërore, etj.

Konfindustria vlerëson, se ndërhyrja nga ekzekutivi, me paketë të ndërthurur financiare dhe fiskale, duhet të jetë sa më e shpejtë në kohë.

Kategori të gjera të industrive dhe prodhimit vendor si manifaktura, industria e birrës dhe e pijeve alkoolike dhe joalkoolike, industria ushqimore, prodhuesit bujqësorë dhe blegtoralë, etj, rrezikojnë seriozisht deri në falimentim.

Sidomos, eksportuesit rrezikojnë seriozisht mbijetesën e tyre në kushtet e fuqizimit nga shkaqe, që në masë të madhe tejkalojnë shpjegimet ekonomike ligjore të Lekut kundrejt Euros.

TRENDING

Exit mobile version