Politike

Zjarri masiv në Lushnje, Balla: Strukturat shtetërore reaguan në kohë

Në përfundim të operacionit të evakuim-shpëtimit në qendrën tregtare në Lushnjë, që u përfshi nga flakët në orët e pasdites, ministri i Brendshëm Taulant Balla nga vendngjarja tha se reagimi ishte i menjëhershëm.

“Strukturat shtetërore reaguan në kohë për t’ju përgjigjur një situate të vështirë, e cila shpresoj që do të shkojë mirë deri në fund”, tha Balla për mediat.

Në operacion për evakuimin e qytetarëve morën pjesë Forcat RENEA, Forcat e Sigurisë Kombëtare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe Zjarrfikëse nga disa bashki.

“Na duhet gjithmonë e më shumë t’i kushtojmë një vëmendje edhe më të madhe, forcimit të kapaciteteve të forcave zjarrfikëse, e mund ta ndaj sot me ju se në ditët në vijim Shërbimit Zjarrfikës të qarkut Fier do t’i shtohen edhe 2 makina të tjera të reja të specializuara për t’i patur në situata të tilla të vështira’, tha ministri.

 

 

Ai falënderoi banorët që u gjendën me solidaritet, siç u shpreh ministri, për të dhënë informacion që ishte në një moment të caktuar shumë i dobishëm për të gjetur në të cilat banesa kishte banorë, e në 2 prej tyre u gjendën banorë në kohën e duhur.

I pyetur nga mediat nëse kishte shkallë emergjence, ministri deklaroi se është herët për të dalë në përfundime.

“Nuk marr përsipër të bëj interpretime të parakohshme”, nënvizoi Balla.

Disa banorë dhe punonjës të Zjarrfikëses po marrin ndihmë mjekësore në spital.

TRENDING

Exit mobile version