Kosova

24 deri 48 orë, çfarë plani ogurzi po paralajmëron Aleksandër Vuçiç

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha më 28 mars se Serbinë e presin “ditë të vështira” dhe se këtë e ka diskutuar edhe me shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd, Emanuel Gioffre, dhe me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it. Megjithatë, ai nuk ka specifikuar se për çfarë bëhet fjalë, duke thënë se për gjithçka do të flasë më shumë “në ditët në vijim”.

“Sot ose nesër, do merrni të gjitha përgjigjet. Situata është stabile dhe e sigurt, por a është e vështirë, është”, tha Vuçiq dhe shtoi se problemet politike me të cilat përballet Serbia “për fat të keq nuk do të largohen”.

Ai hodhi poshtë vlerësimet se Serbia po e braktis “rrugën evropiane” pas paralajmërimeve për largimin e mundshëm të saj nga Këshilli i Evropës, nëse kjo organizatë e pranon Kosovën.

Më 27 mars, Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyanis, në të cilin thuhet se Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kundërshton anëtarësimin e këtij vendi në organizatat ndërkombëtare dhe më 22 mars, Vuçiq njoftoi për mundësinë e tërheqjes së Serbisë nga Këshilli i Evropës në rast të pranimit të Kosovës.

Ai konfirmoi se kishte folur edhe me presidentin e Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë, Milorad Dodik, por as për këtë nuk ka dashur të japë hollësi.

 

TRENDING

Exit mobile version