Politike

Mediu iu kërkon ndjesë familjarëve të Gërdecit, zbardhet dëshmia

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është paraqitur në seancën e përjavshme të së enjtes, lidhur me rihapjen e çështjes Gërdeci, ku edhe i ka kërkuar falje familjarëve të viktimave për atë çfarë ka ndodhur në fabrikën e demontimit të armëve, gjatë kohës kur ai mbante detyrën. Para trupës gjykuese, ai ka shpjeguar pozicionin e tij, duke deklaruar ndër të tjera se “që prej ditës së shpërthimit, në mendjen dhe në shpirtin e tij rëndon pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së këtyre familjeve, të cilëve përulësisht ju rikërkon një ndjesë të madhe”.

Ai vijoi duke përshkruar se nuk ka asnjë përgjegjësi penale për këtë tragjedi, duke shtuar se rihapja e çështjes është plotësisht në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë Procedural Penal, me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si edhe me Konventën Evropiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut.

“Që prej 15 Marsit të vitit 2008, jeta e disa prej njerëzve që janë sot në këtë sallë, ka ndryshuar rrënjësisht. Pas shpërthimit në Gërdec, shumë prej tyre përjetuan ngjarje të rënda, deri në humbjen tragjike të njerëzve të tyre të dashur. Kjo ngjarje tragjike ndryshoi gjithashtu jo pak jetën time dhe të familjes sime”, shpjegon Mediu në deklaratën përpara trupës gjykuese.

“Që prej asaj dite në mendjen dhe në shpirtin tim rëndon pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së këtyre familjeve, të cilëve përulësisht ju rikërkoj një ndjesë të madhe për çfarë ndodhi dhe ju shpreh gjithë keqardhjen time të thellë njerëzore”.

Ai vijon duke thënë se as me dashje dhe as nga pakujdesia, nuk janë veprimet, apo mosveprimet e tij, apo dhe interesi i tij personal, ato që shkaktuan, apo ndikuan në shpërthimin në Gërdec.

Ai si ministër i Mbrojtjes, ka njohur dhe ka pranuar dje dhe pranon sot përgjegjësinë e plotë morale për çfarë ndodhi, gjithsesi.

“Në reflektim të kësaj përgjegjësie, si dhe prej dhimbjes së madhe për jetët e humbura, unë dhashë dorëheqjen nga detyra e ministrit të mbrojtjes”, rrëfehet Mediu më tej.

“Jam i keqardhur që aktin e dorëheqjes time si ministër dhe më pas sjelljen dhe qëndrimin tim të përulur në lidhje me tragjedinë, grupime të caktuara politike dhe jopolitike, e kanë parë si akt dhe sjellje dobësie dhe si reflektim të një individi me faj. Kam zgjedhur të jem i kursyer në shpjegimet e mia publike dhe të shmangë sa të mundem të flas për ngjarjen”.

Veç familjarëve, në fjalët e Mediut, kushdo tjetër ka detyrim moral, por kur është rasti edhe detyrim institucional, që vlerësimin dhe gjykimin për atë ngjarje ta bëjë bazuar vetëm në fakte. Mbi të gjitha ky detyrim është për prokurorinë dhe gjykatën, si dy institucione kompetente që vlerësojnë ligjërisht përgjegjësitë penale të individit.

“Është plotësisht e qartë që rihapja e çështjes penale në ngarkimin tim dhe më shumë akoma vazhdimi i këtij gjykimi, është haptazi në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë Procedural Penal, me Kushtetutën e RSH, si dhe me Konventën Evropiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut”, shtjelloi drejt përfundimit të fjalës.

Ndërsa, në përmbyllje, kërkoi vetëm respektimin strikt të ligjit.

TRENDING

Exit mobile version