Aktualitet

6 mije raste çdo vit nga sëmundjet tumorale/ Mjeket: Diagnostikim në të gjithë popullatën

6 mijë raste të reja përllogariten çdo vit nga sëmundjet tumorale në Shqipëri, 10% e tyre janë nën moshën 50 vjeç. Shifrat u dhanë gjatë një tryeze që bëri bashkë ekspertë mjekësor onkologjik dhe hematologjik, mjekë të spitaleve private, përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik dhe të OBSH. Por, jo të gjithë të diagnostikuarit me kancer arrijnë të marrin shërbimet në Shqipëri.

Elona Qira me profesion stomatologe është një nga të prekurat që rrëfen sfidën e saj me kancerin, të ndarë mes Shqipërisë dhe Italisë. Kanë qenë pikërisht historitë e këtyre personave që kanë iniciuar këtë tryezë multidisiplinare, ku u kërkua angazhim i përbashkët për t’i kërkuar autoriteteve dhe vendimmarrësve që të marrin hapa konkrete qoftë në rritjen e fondeve për diagnostifikimin, zbulim e trajtimin e kancerit, por edhe të sigurimit në kohë të medikamenteve jetike sipas protokolleve ndërkombëtare si OBSH.

Një shqetësim i ngritur nga mjekët është edhe rritja e kontrolleve ndaj duhanpirjes, përdorimit të vape nga të rinjtë, pasi sipas tyre fatkeqësisht ka një ulje të moshës së të prekurve nga kanceri. Mjeku Alban Ylli shprehet se për sëmundjet tumorale, në 5 vitet e ardhshme nuk pritet revolucion dhe që duhet të përgatitemi për të harxhuar shumë para, për të marrë përfitime të vogla.

Mjekët ngrenë shqetësimin e mungesës së ilaçeve si pasojë e problemeve me tenderimin, ku dhe medikamentet e lira janë në mungesë dhe nuk mund të zëvendësohen.

Mjekët që punojnë në spitalin privat shprehen se 60% të shërbimeve pacientët e prekur nga kanceri e marrin nga shpenzimet e buxhetit të tyre. Përfaqësuesi i OBSH dha disa rekomandime për funksionim sa më të mirë të sistemit shëndetësor, për t’ju përgjigjur nevojave të pacientëve.

TRENDING

Exit mobile version