Shkrime

A po e fut Vuçiç në kurth Albin Kurtin

Editorial NTV.AL

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka dhënë sinjale të forta se është pro planit franko-gjerman, por sipas tij, negociatat për marrëveshje dhe kthimi i serbëve në institucione, mund të ndodhin vetëm pasi të formohet Asociacioni. Kjo ka shtyrë Perëndimin të deklarojë se Asociacioni është i ndarë nga plani franko-gjerman dhe se themelimi i tij duhet të nisë menjëherë. Sipas disa analistëve në Kosovë, “pranimi” i planit është lojë e Vuçiç me qëllim që Kosova të mbetet pala që po çon në dështim marrëveshjen. Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që Asociacioni të trajtohet në kuadër të planit, por qëkur emisarët e hodhën poshtë këtë, ai më s’është prononcuar.

Në një moment, Kurti ishte kthyer në gardianin e planit franko-gjerman. Madje, e mbronte atë edhe nga europianët, që ishin krijuesit e atij propozimi. Pas takimit të fundit me Presidentin serb në Bruksel, Kurti e akuzoi Kryediplomatin e BE-së, Joseph Borrell, se kishte hequr dorë nga propozimi evropian, që fillimisht është njohur si “plan franko-gjerman”.

Me ato që janë deklaruar pas së premtes kur kryeministrin e Kosoves dhe Presidentin serb i vizituan pesë top diplomatët perëndimore, duket se disa gurë kanë nisur të lëvizin. Pozicionet e Kurtit dhe të Vuçiç rreth planit franko-gjerman, nuk janë më krejt të njëjtat.

Pas dy orë diskutimesh në zyrën e Kurtit, Miroslav Lajcak, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, tha se ka pritur që propozimi evropian të kuptohej më mirë.Pa lënë të kuptohej se kishte ndonjë mospajtim, as çfarë kishte pritur Lajcak, Qeveria e Kosovës konfirmoi se në atë takim u diskutua për propozimin evropian, të cilin, edhe më therët Albin Kurti e kishte vlerësuar “bazë të mirë” për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”.

Gjatë fundit të vitit që shkoi, kryeministri Kurti thoshte se Vuçiç nuk po e pranonte propozimin evropian dhe ishte i bindur se prej këtij refuzimi buronin tentativat e tij për ta destabilizuar veriun e Kosovës. Duke u nisur nga kjo deklaratë e Kryeministrit, befasia ndodhi në Beograd. Pas takimeve me diplomatët evropianë dhe përfaqësuesin amerikan, presidenti serb tha se do të negociohej me Kosovës, sipas propozimit evropian.

Vuçiç tha gjithashtu se nëse Serbia do refuzonte të bisedonte në bazë të propozimit, përveç bllokimit të integrimeve dhe ndaljes së investimeve, do të ballafaqohej edhe me regjimin e vizave.Ndërkaq, Lajcak, siç kuptohet nga deklarata e tij, mirëkuptimin e kishte gjetur në Beograd dhe jo në Prishtinë. Ai tha se Vucic ka treguar qasje të përgjegjshme dhe vullnet “për të marrë vendime të vështira”.

Në Kosovë ka opinione se Serbia nuk e pranon në të vërtetë propozimin evropian dhe se e gjitha kjo është lojë e Vucic me shpresën që Kosova të jetë faktori që do ta çoj drejt dështimit propozimin europian dhe do të bjerë në hendekun e përgatitur nga Beogradi.

Duke folur për propozimin franko-gjerman, emisari amerikan, Gabriel Escobar, që ishte pjesë e delegacionit të Perëndimit në takimet e së premtes, tha se Kosova “ka ende brenga”, por ajo “ka mbështetjen e plotë të SHBA-së, është një partnere e mirë, dhe s’kam ndonjë dyshim se do të arrijmë çfarë duam”.

Përveç deklaratës së lëshuar pas takimit të së premtes, nga Qeveria e Kosovës nuk janë dhënë informata më të hollësishme se ku qëndrojnë diskutimet rreth propozimin evropian dhe as për “brengat”, për ta cilat foli emisari amerikan. Sipas njohësve të çështjeve ballkanike, Albin Kurti, në këmbim të pranimit të propozimit evropian, u ka vënë si kusht diplomatëve perëndimorë që të garantojnë se Kosova do marrë njohjen nga pesë shtetet e BE-së që e kanë mohuar deri tani.

Edhe në deklaratën e fundit të Qeverisë, Kosova pret diskutime me Serbinë, me bazë propozimin franko-gjerman, që çojnë në normalizim të raporteve me “njohjen në qendër”. Nga versionet e propozimit gjerman, që janë publikuar në media, propozimi evropian nuk parasheh njohjen reciproke e as anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

 

TRENDING

Exit mobile version