Politike

Balta që hidhet, se gjoja kemi pasur vonesa në rindërtim, nuk është aspak e vërtetë

Faleminderit znj. Nënkryetare e Kuvendit,

Të nderuar kolegë deputetë,

Kam zgjedhur të them dy fjalë për këtë marrëveshje shumë të rëndësishme të negociuar në një kohë rekord. Falë besimit dhe mbështetjes të të gjithë deputetëve këtu, kjo marrëveshje po kalon me procedurë të përshpejtuar, për të hyrë në fuqi menjëherë dhe për të vijuar më pas me ndërtimin e rreth 2 mijë banesave në zonën e Durrësit, që u prek nga tërmeti i 26 nëntorit.

E thashë e negociuar në kohë rekord, sepse fondi i Abu Dabit për Zhvillim është një institucion financiar, i cili e ka mbështetur Shqipërinë prej 7-8 vitesh në disa projekte të rëndësishme. Duke qenë se të gjitha marrëveshjet kanë kaluar në Parlament, e dimë fare mirë se sa shumë kohë është dashur. Për marrëveshjen në fjalë, procedurat janë kryer me shpejtësi. Gjej rastin në emër të të gjithë deputetëve, që ti shprehim falenderimet tona më të sinqerta Emirateve të Bashkuara Arabe dhe në mënyrë të veçantë Princit të Kurorës Mohammed bin Zayed al Nahyan, i cili është një mik shumë i vyer i Shqipërisë.

Emiratet e kanë treguar mbështetjen ndaj kombit shqiptar gjithmonë në momente të vështira. Kujtoj këtu krizën e luftës në Kosovë. Asokohe vetë Princi i Kurorës Mohammed bin Zayed ishte një prej pilotëve, që sillte ndihma për bashkëkombasit tanë kosovarë, të cilët ishin shpërngulur nga genocidi serb.

Sot jemi në kushtet që përsëri, pas një situate të vështirë të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit, miqtë Emiratas i gjenden Shqipërisë përmes kësaj marrëveshje.

Në këtë kontekst diskutimi dua të shpreh edhe një herë vlerësimin tone, se procedurat dhe procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, kanë ecur në mënyrë të shkëlqyer.

E gjithë balta që mundohet të hidhet me pretendimin, se gjoja kemi pasur vonesa në rindërtimin e banesave, nuk është aspak e vërtetë.

Mjafton të hidhni sytë e të shihni raste të ngjashme të fatkeqsive, që kanë ndodhur në botë, për shembull në Zelandën e Re, një vend me nivelin më të lartë të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies, ku bëhen gati 9 vite nga tërmeti i rënë në një prej qyteteve, ende më shumë se gjysma e qytetit nuk është rindërtuar.

Po ashtu edhe në Italinë fqinje në zonën e L’Aquila-s, ku përsëri numri i ndërtesave të parikonstruktuara është shumë i madh.

Nuk e them këtë për t’u shfajësuar, sepse nuk kemi për t’ju dhënë llogari as juve këtu në sallë dhe as atyre që braktisën këtë sallë.

E them me shumë krenari, si një prej deputetëve të shumicës parlamentare, se shifrat e rindërtimit flasin vetë.

Shqipëria, e cila ka një ekonomi të pakrahasueshme me shembujt që solla, Zelandën e Re dhe Italinë, ka vënë në dispozicion në buxhetin e vitit 2021 shifrën prej 280 milionë dollarësh për rindërtimin.

Nëse, larg qoftë nuk do të kishim rikuperuar ekonominë e vendit nga viti 2013 e më pas, nuk do të kishim këto kapacitete ekonomike për t’iu përgjigjur rindërtimit.  Shtuar këtu edhe efikasitetin e të gjithë anëtarëve të kabinetit qeveritar, të përfshirë në procesin e negociatave për mbylljen e marrëveshjeve, që pasuan Konferencën e Donatorëve më 17 shkurt të këtij viti, ku Shqipëria siguroi rreth 1.15 miliardë euro, 300 milionë euro prej të cilave ishin grante.

Pjesë e këtij granti është edhe marrëveshja që votojmë sot. Kjo tregon se jemi tërësisht në rrugën e duhur, sepse i kemi qëndruar angazhimit tonë prej ditës së parë. Për të gjitha familjet që jetojnë në zonat rurale të prekura nga tërmeti, procesi i rindërtimit ka filluar. Një pjesë e madhe kanë marrë çelsat në dorë dhe janë futur në banesat e reja të rindërtuara. Për objektet e tjera, shkolla, spitale, etj., të gjitha procedurat janë zhvilluar.

Kam parë sot me keqardhje një spot të Partisë Demokratike për çështjen e spitalit të Laçit. Gënjejnë! Nuk e kanë për turp të gënjejnë, sepse ditën që arriti të bëjë politikë me numrin e të vdekurve, ajo parti e ka humbur busullën në marrëdhënien me qytetarët shqiptarë. Shqiptari nuk e ka për zakon të bëjë politikë me të vdekurit. Partia Demokratike ka humbur çdo vlerë njerëzore.

Ajo që ka ndodhur dhe po ndodh me spitalin e Laçit është një procedurë e zhvilluar nga qeveria shqiptare në të cilën janë përfshirë edhe institucione ndërkombëtare financuese, sikurse është Banka Botërore.

Spitali do të fillojë dhe Kryeministri Rama i qëndron angazhimit të vet, që në pranverën e vitit 2021 spitali do të jetë gati, pikërisht atëherë kur politika e mbrapshtë e politikanëve, që për turpin e tyre bëjnë politikë me vdekjen, do të marrë përgjigjen përfundimtare.

Dua të them dhe dy fjalë për Dekretin për kthimin e ligjit për Policinë e Shtetit. Dua të ritheksoj diçka që e kam thënë para disa javësh këtu në Kuvend. Ligji për Policinë e Shtetit është diskutuar për një kohë shumë të gjatë. Është diskutuar me institucionet e tjera që pëfshijnë ose janë pjesë e punës të përbashkët me Policinë e Shtetit, sikurse është Prokuroria e Përgjithshme. Gjej rastin ta falenderoj ministrin e Brendshëm për korrektesën, që ka treguar në marrëdhënien me Kuvendin dhe institucionet e tjera, në dobi të formulimeve të duhura që çojnë përpara rolin shumë të rëndësishëm të Policisë së Shtetit.

Të gjitha përpjekjet në krye të të cilave tashmë është vënë Ilir Meta, që për turpin e tij natën takohet me ish-policë të larguar nga Policia e Shtetit për përfshirje në veprimtari kriminale dhe ditën gjoja shqetësohet për ligjin e Policisë së Shtetit, sot marrin përgjigje përfundimtare.

Sot kemi një Polici Shteti tërësisht të depolitizuar. Sot kemi rezultatet më të mira të Policisë së Shtetit në gjithë këto 30 vite.

Presidenti i Republikës duhet të heqë dorë nga të bërit politikë me dekretet presidenciale. Çdo lloj vonese të shkaktuar nga tekat e Presidentit, nuk i bëjnë mirë punës së Policisë së Shtetit. Është e patolerueshme që Kryetari i Shtetit të etiketojë apo sulmojë Policinë e Shtetit.

Policia e Shtetit është garante e zbatimit të ligjit.

Është e papranueshme për ty, Ilir Meta, që të vonosh ligjin për buxhetin e shtetit. Buxheti i shtetit është shprehja me kuptimplotë e vullnetit të shumicës qeverisëse. Presidenti i Republikës për turpin e tij vazhdon të mbajë peng dekretimin e buxhetit të shtetit. Duke vonuar dekretimin e buxhetit të shtetit, Ilir Meta vonon qeverinë dhe institucionet e tjera të jenë gati për blerjen e vaksinës apo programimin në kohë, të të gjitha nevojave të tjera që ka shteti në përballje me pandeminë.

Ilir Meta për turpin e tij vonon buxhetin e shtetit, duke vonuar përgatitjet që duhet të bëjë qeveria për përballjen me COVID-19.

Së fundi, gjej rastin të ndaj me ju lajmin e mirë që kolegu ynë Andi Përmeti e fitoi betejnë me COVID-19.

Faleminderit!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version