Aktualitet

BE- 210 milionë euro për ta mbështetur Shqipërinë për rritjen e standardeve të saj mjedisore.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca prezantoi sot fazën e dytë të fushatës së komunikimit “Evropa është këtu” kushtuar Agjendës së Gjelbër të BE-së për Ballkanin Perëndimor, mjedisin dhe ndryshimin klimatik.

Marrëveshja e Gjelbër Evropiane është një plan ambicioz dhe gjithëpërfshirës për ta shndërruar Bashkimin Evropian në një ekonomi moderne, me burime të efektshme dhe konkurruese. Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor do të sigurojë ndihmë të mëtejshme, për shembull, për zhvillimin e ekonomisë qarkulluese dhe strategjive për cilësinë e ajrit.

Nën moton “Evropa është këtu”, fushata gjashtëmujore e nisur në korrik, informon qytetarët në lidhje me ndihmën financiare të BE-së për Shqipërinë, veçanërisht në sektorë kryesorë si infrastruktura / transporti, mjedisi dhe bujqësia. Takimi për prezantimin e fazës së dytë të fushatës “Evropa është këtu” u zhvillua në Kukës, në prani të autoriteteve vendore, organizatave mjedisore, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe medias.

Fakte dhe shifra mbi mbështetjen e BE-së për sektorin e mjedisit në Shqipëri

Ø  210 milionë euro kontribute nga BE-ja për sektorin e rrugëve në 10 vitet e fundit.

Ø  BE-ja do të vazhdojë të investojë për mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimit klimatik në Shqipëri me një shumë prej 30 milionë euro duke filluar nga viti 2021.

Ø  BE-ja po financon projektin Via Dinarica mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit për të ardhmen e turizmit me afërsisht 450.000 euro, projektin Kukës-Gjakovë për Ujë të Pastër me 1.2 milionë euro, si dhe projektin Kryqi i Gjelbër drejt ekonomive vendore të gjelbra me investime inteligjente me 500.000 euro.

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Soreca:

I dashur kryetar Gjici,

I dashur drejtor Dedej,

Zonja dhe zotërinj,

Para dy javësh, Komisioni Evropian miratoi Raportin Vjetor mbi Shqipërinë dhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve për rajonin.

Sidoqoftë, mund t’ju ketë shpëtuar që, në të njëjtën ditë, Komisioni propozoi gjithashtu një Agjendë të Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Agjenda e Gjelbër do të zbatojë në nivel rajonal Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së, një nga ambiciet kryesore të Komisionit Von Der Leyen.

Marrëveshja e Gjelbër Evropiane është plani ynë ambicioz dhe gjithëpërfshirës për ta shndërruar Bashkimin Evropian në një ekonomi me burime të efektshme, pa emetime neto të gazrave serë deri në vitin 2050 dhe ku rritja ekonomike është e shkëputur nga përdorimi i burimeve. Ajo synon gjithashtu të mbrojë, ruajë dhe përmirësojë kapitalin natyror të BE-së.

Në Ballkan, politikat dhe sfidat financiare për të zbatuar Marrëveshjen e Gjelbër janë të konsiderueshme. Këtu hyn Agjenda e Gjelbër, për të mbështetur reformat dhe investimet në 5 fusha tematike:

  1. veprimi klimatik dhe energjia
  2. ekonomia rrethore dhe mbetjet
  3. biodiversiteti
  4. ndotja
  5. sistemet e qëndrueshme ushqimore dhe zonat rurale.

Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor do të sigurojë ndihmë të mëtejshme, për shembull për zhvillimin e ekonomisë qarkulluese dhe strategjive për cilësinë e ajrit. Ajo do t’i përfshijë vendet e rajonit në Paktin Evropian të Klimës dhe në Skemën e BE-së për Tregtimin e Emetimeve. Ne gjithashtu do të forcojmë investimet tona në menaxhimin e mbetjeve dhe zbatimin e një Plani Veprimi të Biodiversitetit të Ballkanit Perëndimor 2030.

Këto janë vetëm disa nga veprimet e shumta të Agjendës së Gjelbër. Por të gjitha ato bazohen në legjislacionin dhe standardet evropiane, të cilat së shpejti do të bëhen detyrime për Shqipërinë.

Dihet që legjislacioni mjedisor është një nga më të vështirit për t’u zbatuar, pasi kërkon investime masive kapitale, transformim të politikave, forcimin e zbatimit dhe ndryshime kulturore në popullatë.

Për ta mbështetur vendin në rritjen e standardeve të tij të mjedisit, Bashkimi Evropian ka dhuruar 210 milionë euro gjatë 10 viteve të fundit për projekte me fokus te mjedisi dhe klima. Ne po planifikojmë 30 milionë euro të tjera duke filluar nga viti i ardhshëm.

Një shembull është Ndërtesa e Rojtarëve ku jemi mbledhur sot. Investimet në zonat e mbrojtura ishin të papërshtatshme para fillimit të projektit të BE-së për forcimin e kapacitetit kombëtar për mbrojtjen e natyrës. Projekti investoi 4 milionë euro në 10 Zona të Mbrojtura në Shqipëri, duke mbuluar 66% të territorit kombëtar nën mbrojtje.

Kjo ndërtesë i shërben jo vetëm administratës së Zonave të Mbrojtura, por edhe shkencëtarëve dhe dashamirëve të natyrës, duke vepruar si një urë lidhëse mes parkut dhe komunitetit vendor.

BE-ja është një mbështetëse e fortë e Shqipërisë në menaxhimin e mbetjeve. Ne sapo kemi përfunduar studimet e fizibilitetit të menaxhimit të mbetjeve për Zonat e Mbetjeve të Kukësit – një zonë e rëndësishme nga ana mjedisore, ku natyra gjeneron të ardhura të rëndësishme nga turizmi.

Së shpejti do të kalojmë në hapin tjetër dhe do të investojmë në Infrastrukturat e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve me programin tonë të ri: “BE-ja për Ekonominë Qarkulluese dhe Rritjen e Gjelbër”. Ky program do të ndihmojë 15 bashki, përfshirë Kukësin, për të arritur standardet e BE-së në menaxhimin e integruar të mbetjeve bashkiake dhe do të përshpejtojë ekonominë rrethore përmes granteve për sektorin privat dhe shoqërinë civile.

Në të vërtetë, ekonomia qarkulluese do të mbështesë rritjen dhe rimëkëmbjen pas COVID-it, duke ofruar mundësi për riciklimin, riprodhimin dhe ripërdorimin. Menaxhimi i integruar i mbetjeve është një sektor biznesi në vetvete, i cili gjeneron vende pune dhe të ardhura.

Nga Brukseli në Kukës, nga Marrëveshja e Gjelbër e BE-së te ndihma jonë në Shqipëri, Bashkimi Evropian po punon për të njëjtat përparësi.

Kjo është ajo që nënkuptojmë me “Evropa është këtu”, fushata që nisëm korrikun e kaluar. Bashkimi Evropian është tashmë i pranishëm kudo në vend, duke përmirësuar jetën e përditshme të shqiptarëve.

Pas përqendrimit te lidhshmëria muajt e fundit, jam i lumtur të prezantoj sot fazën e dytë të fushatës kushtuar mjedisit, klimës dhe Agjendës sonë të Gjelbër.

Hapja e negociatave të pranimit e ka bërë ndihmën tonë financiare edhe më të rëndësishme, pasi mbështet ndryshimet e thella që priten: reforma e administratës, përafrimi me standardet e BE-së, modernizimi dhe gjelbërimi i ekonomisë.

Në javët e ardhshme, ne do të shqyrtojmë se si BE-ja po e ndryshon tashmë Shqipërinë përmes angazhimit të saj me ndotjen e ajrit, përdorimin e pesticideve, trajtimin e mbetjeve, cilësinë e lumenjve dhe biodiversitetin.

Fushata “Evropa është këtu” tani është edhe në TV dhe radio, me një video që përqendrohet tek investimet e qëndrueshme. Le ta shikojmë së bashku.

Zonja dhe zotërinj,

Angazhimi i BE-së për të mbrojtur mjedisin tonë bazohet në një fakt të thjeshtë: përfitimet e mbrojtjes së ekosistemeve i tejkalojnë shumë kostot e degradimit të tyre.

Dobësimi i ekosistemeve ndikon në mënyrë disproporcionale te njerëzit më të varfër në zonat e thella si Kukësi. Nuk ka kompromis. Ruajtja e burimeve natyrore dhe zhvillimi socio-ekonomik janë plotësisht të ndërthurura.

Jam i lumtur që po punojmë së bashku për një ndryshim kulturor, si dhe të politikave, që nevojitet për të krijuar një Shqipëri më të gjelbër dhe më të begatë.

Por BE-ja nuk mund ta bëjë këtë vetëm. Këtu, do të doja ta mbyllja me një fjalë mirënjohjeje të sinqertë për mikpritësit tanë të sotëm: rojtarët e parkut që punojnë në këtë ndërtesë.

Nuk mund të ketë mbrojtje dhe zhvillim të qëndrueshëm pa zbatimin e duhur ligjor të rregullave mjedisore. Ju luani një rol thelbësor për të siguruar që turizmi të zhvillohet në një mënyrë të respektueshme, duke ruajtur pasurinë natyrore të këtij rajoni unik të Evropës.

Shumë faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version