Politike

BE ndërpreu fondin/ Krifca: Nuk përmendet fjala korrupsion

Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca, ka folur sot në Kuvend pas ndërprerjes së fondit të BE për bujqësinë, nën akuzën për korrupsion. Krifca thotë se AZHBR ka qenë nën hetim dhe është bërë publik që prej shkurtit në 2021, ndërsa shton se në komunikatën e djeshme nuk përmendet fjala korrupsion. Ministrja thekson se masa ka qenë e përkohshme.

“U ndesha me shumë neveri, retorikat e ditës së djeshme sepse hidheshin baltë mbi institucionet dhe me njerëz që janë përkushtuar. Çdo fjalë u përdor nga opozita si barut, për t’i vënë flakën gjithçkaje të mirë që kemi bërë. Dje, nuk ka pasur një lajm të ri. Lajmin se AZHBR ka qenë nën hetim, është i bërë publik që prej shkurtit në 2021. Lajmi i vetëm ka qenë njoftimi për pezullimin e pagesës së radhës, si një masë e përkohshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Bujqësisë në Bruksel.

Në atë letër nuk përmendet fjala korrupsion. Në këtë pikëpamje, unë nuk mund të komentoj dhe as nuk mund të parashikoj asgjë nga këto rrethana. Mund t’iu siguroj që sistemi i menaxhimit të fondeve dhe procedura e ndjekur nga agjencia janë pikërisht ato që janë të akredituara nga BE. Nëse këto procedura të verifikuara nga jashtë brenda, janë cënuar apo për shkak të zhvillimeve të ndryshme, imponojnë përmirësimin e tyre, jemi të interesuar për të bashkëpunuar bashkë me OLAF për të bashkëpunuar menjëherë dhe për të korrigjuar veprimtarinë e institucionit. Programi nuk është ndaluar, ai është në funksion”, tha Krifca.

TRENDING

Exit mobile version