Aktualitet

Bilanci I basketbollit për 2023/ Ponari: Në 2024-ën Shqipëria pret dy Kampionate Europiane

Basketbolli shqiptar ka mbyllur aktivitetet e vitit 2023, teksa pak ditë më parë Federata Shqiptare e Basketbollit mbajti edhe Asamblenë e Zakonshme.

Edhe ky vit, ashtu sikurse paraardhësi ishte me një kalendar të ngjeshur, me kompeticione kombëtare, por gjithashtu edhe aktivitete mbarëkombëtare në radhët e femrave.

Përtej problematikave të zakonshme që njihen tashmë, sporti i koshit dhuroi emocione, të cilat kulmuan sidomos me ndeshjet finale.

Në një intervistë televizive, Presidenti i FSHB, Z. Avni Ponari bën bilancin e vitit që po lemë pas dhe atij që presim.

“Ky vit basketbollistik ka qenë një vit interesant. Tashmë nuk kemi një kombëtare pasi gjërat kanë ndryshuar. Kemi 8 kombëtare, 6 moshash dhe 2 Kombëtaret e të rriturve.

Ka një zhvillim të basketbollit në përgjithësi. Ka një ndërgjegjësim, ka një rritje por ka edhe një sfidë tek moshat e vogla, te moshat e reja, të cilat po dashurohen gjithmonë e më tepër. Veçanërisht vajuat, të cilat janë aktivizuar, edhe në aktivitete të sponsorizuara nga FIBA. Por edhe nga Federata Shqiptare e Basketbollit.

Sot numri i ndeshjeve është 4-fishuar krahasuar me 2 vite përpara. Numri i ekipeve është 2-fishuar apo 3-fishuar.  Zhvillohen aktivitete në të gjitha drejtimet. Duke filluar nga Junior NBA, LIGA UNIKE, e cila është një sfidë e madhe. Vjet ekipi i vajzave të Partizanit ishte fitues i Kupës së LIGËS UNIKE. Këtë vit aktiviteti do të zhvillohet me grumbullim në qytetin e Vlorës, besoj. Dhe do të jetë një garë shumë e madhe e të rriturve. Ajo që duhet të theksoj është se, gara është rritur”, shprehet Ponari.

Por çarë pritet gjatë vitit 2024 me Shqipërinë që do të presë edhe dy kampionate Europiane në sportin e koshit?

“Në shkurt jemi me Kombëtaren e madhe, me Armeninë. Por së fundmi morëm lajmin se, Shqipëria bëhet ndoshta i vetmi vend në Europë që Federata Shqiptare e Basketbollit organizon dy kompeticione europiane, U16 dhe U18. Pra nga 10 ekipe për secilin. Që do të thotë se, mbi 300 basketbollistë nga e gjithë Europa do të jenë në qytetin e Durrësit, në Pallatin e Sportit “Goga Basket” dhe po aq marrin pjesë në qytetin e Elbasanit.

Pra, jemi në prag sfidash të mëdha. Jemi në prag aktivitetesh të rëndësishme. Dhe natyrisht, ndryshimet e bëra në Federatën Shqiptare të Basketbollit, duke ndryshuar Sekretarin e Përgjithshëm dhe duke marrë një ish lojtar të Kombëtares, me 15 vite eksperiencë në kampionatin Italian. Duke thirrur në drejtimin e ekipeve kombëtare të basketbollit po një tjetër yll të aktiviteteve basketbollistike në Itali, Klaudio Ndojën. Pra, kemi bërë ndryshimet që shpresojmë të marrim edhe rezultatet positive”, thotë presidenti i FSHB-së. 

Në fund të intervistës z.Ponari ka edhe një urim për vitin e ri.

“Le të shpresojmë që 2024 të ketë ngjarje të rëndësishme. Le të shpresojmë që cilësia sportive, edukata dhe kultura në sportin e basketbollit të jenë sfida e madhe që FSHB ka me të gjitha shoqatat dhe klubet basketbollistike”.

TRENDING

Exit mobile version