Aktualitet
‘Burri më rrihte’, historia e trishtë e gruas: Kam fjetur jashtë kur ra tërmeti
“Ngele në derë”. Ky ishte opinioni i një fshati në Lushnje ku Sidorela u rrit dhe që e detyroi që të martohej në moshën 23-vjeçare me shkuesi. Nga Lushnja ajo u zhvendos në Durrës ku jeton edhe sot me djalin e saj të cilin e rrit e vetme.
Në historinë që ajo ka ndarë me “Ka Një Mesazh Për Ty”, ajo zbulon se gjithçka shkonte mirë në fillim, por pas ardhjes së djalit në jetë nuk e kishte ndihmën e bashkëshortit.
Sidorela: Ka 3 vjet që jam vetëm, jam divorcuar. Ka qenë shumë e vështirë, Ardit.
Ardit Gjebrea: Po pse?
Sidorela: Është shumë e vështirë që një nënë e vetme të rrisë një fëmijë, pa ndihmën e askujt, pa ndihmën e bashkëshortit.
Ardit Gjebrea: Po çfarë ndodhi me të?
Sidorela: S’e di, gjërat u ftohën, filluan zënkat, dhuna, tradhtia nga ana e tij. Kur ra tërmeti iku në Gjermani. Unë kam ndenjur rrugëve me çunin sepse siç e dini edhe ju, tërmeti në Durrës shkatërroi çdo gjë, kemi fjetur jashtë. Por edhe atje nuk është se më ndihmonte me ndonjë gjë, kërkonte ndihmë nga unë. Unë çfarë do bëja me një rrogë 300 mijë Lekë?
Ardit Gjebrea: Ai në Gjermani kërkonte ndihmë nga ty?
Sidorela: Po. Sepse ai nuk punonte, ai punonte thjesht për veten e vet, jo për mua dhe djalin që ne kishim në jetë.
Ardit Gjebrea: Kishte kohë edhe të tradhtonte?
Sidorela: Po. E kam kapur në telefon kur erdhi në Shqipëri, foto.
Ardit Gjebrea: Me kë?
Sidorela: Me atë zonjën që unë nuk dua fare t’i përmend këto gjëra se të vrasin.
Ardit Gjebrea: Qartë. Shqiptare apo gjermane?
Sidorela: Shqiptare. Një shqiptare mbi 40.
Ardit Gjebrea: Ishte ai që e bëri ndarjen apo e bëre ti?
Sidorela: Jo, e kam bërë unë ndarjen sepse erdhi nga Gjermania dhe pastaj filluan zënkat pa pushim. Sa vinim në shtëpi, vetëm sherr.
Ardit Gjebrea: Çfarë bënte?
Sidorela: Ai rrinte, unë punoja. Priste çdo gjë nga mua.
Ardit Gjebrea: Sherret bëheshin në sy të çunit?
Sidorela: Po. Çuni aty ishte.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishte çuni?
Sidorela: Çuni ishte i vogël, 3 vjeç.
Ardit Gjebrea: Por kuptonte.
Sidorela: Shumë.
Ardit Gjebrea: Shikonte.
Sidorela: Normale.
Ardit Gjebrea: Reagonte?
Sidorela: Reagonte me raste, por ai e ka dashur shumë babain e vet, ai e do shumë babain e vet pavarësisht se ai pothuajse e ka harruar fare.