Sport

Dhuna e paprecedentë në klasiken e femrave, pamjet nuk kanë nevojë për koment

U nis si një klasike mes dy skuadrave me emër të Tiranës dhe Shkodrës, por përfundoi në një përleshje skandaloze ku të gjithë të pranishmit dhuruan një shfaqje të shëmtuar. Në mbarë botën e shtuna e 25 nëntorit ushoqëruar me mesazhe sensibilizuese dhe protesta të shumta për Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës ndaj Grave, por në Shqipëri për ironi të fatit, duket se kjo ditë përfundoi si mos më keq, duke ndodhur komplet e kundërta.

Një skenë skandaloze, kur përveç grushteve të lojtareve me njëra-tjetrën, është bërë më e rëndë dhe më e turpshme me përfshirjen e drejtuesve, me burra që ushtrojnë dhunë barbare ndaj vajzave në fushën e lojës. Një sherr masiv, që solli automatikisht ndërprerjen e takimit, në minutën e 22- të.

Duke parë edhe përshkallëzimin, një përplasje e tillë mund të kishte pasoja edhe më të rëndë, ndoshta edhe jete, por fatmirësisht një gjë e tillë u shmang. Pas kësaj ngjarje të shëmtuar, të gjithë protagonistët kanë dhënë versione të ndryshme duke akuzuar njëri tjetrin mbi përgjegjësinë e këtij skandali të madh.

Në aspektin sportiv topi tashmë është në anën e Federatës Shqiptare të Futbollit, te komisioni i disiplinës, duke shpresuar që këtë herë mos të kemi një “zgjidhje shqiptarçe”. Nevojitet një sinjal i fortë për këdo që ushtron dhunë në sport, nëse duam vërtetë që të luftojmë këtë fenomen dhe jo të bëjmë telefonin e prishur, duke injoruar situata të cilat mund të gjejnë precedentë të ngjashëm dhe në vazhdim.

TRENDING

Exit mobile version