Shkrime

‘Die Zeit’, shkrim ‘predhë’ për Vuçiçin

“Prej disa javësh, në shumë qytete, përfshirë edhe në zemër të Beogradit, në mure shihen mbishkrime 40 metra të gjatë ku shkruhet vargu: ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’, varg që vjen nga një këngë popullore që shpesh këndohej nga Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe. Pak kohë pasi u shfaqën këto mbishkrime të mëdha, ushtria serbe grumbulloi në mënyrë kërcënuese trupat në kufirin me Kosovën ndërsa aktivistët që tentuan ti prishin germat-thirrje lufte në Beograd, u akuzuan për dëmtim të pronës”. Kështu e ka filluar shkrimin e saj për Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilin e ka titulluar “Maçoja e Beogradit” gazeta javore gjermane me qendër në Hamburg, “Die Zeit”. Në artikull flitet për qasjen e Vucic ndaj Kosovës, për mënyrën se si ai qeverisë, duke e krahasuar atë me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, por edhe për qasjen ledhatuese të perëndimit ndaj tij. Duke treguar për mbishkrimet fashiste në Serbi, prestigjiozja gjermane thekson se “megjithatë, askush nuk beson se ushtria serbe do ta pushtojë në të vërtetë Kosovën”. Por, sipas Die Zeit, “mesazhi është i qartë: Serbia kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova, nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës. Dhe është e qartë se këto shkrime as nuk mund të shfaqen dhe as të tolerohen në rrugët e qyteteve serbe pa vullnetin e presidentit. Është Vuçiç ai që po e dërgon këtë mesazh”. “Për Gjermaninë dhe Bashkimin Europian, zgjidhja e çështjes së Kosovës është qendrore – dhe prej vitesh ekziston bindja se ajo mund të zgjidhet vetëm me Vuçiç-in dhe jo kundër. Aksioma e politikës evropiane është: Serbia është shteti më i madh në Ballkanin Perëndimor. Nëse Serbia hyn në BE, ajo do të sjellë me vete edhe shtetet e tjera më të vogla; Për të integruar Serbinë në BE, mosmarrëveshja për Kosovën duhet të zgjidhet; Vuçiç është njeriu i fortë i Serbisë, duhet të bësh biznes me të sepse vetëm ai mund t’ua ‘shesë’ serbëve zgjidhjen e problemit të Kosovës” – shkruan gazeta gjermane duke shtuar se “ishte ish-kancelarja gjermane, Angel Merkel, ishte ajo që e bazoi strategjinë e saj ballkanike në këtë supozim”. Ajo, theksohet në artikull, ka mbajtur “marrëdhënie shumë të ngushta” me Aleksandër Vuçiç-in. “E takoi atë 16 herë në nëntë vjet dhe pak para se të largohej nga detyra e nderoi me një vizitë lamtumire në Beograd, duke theksuar gjithmonë ‘marrëdhënien e besimit’”. Vuçiç, shkruhet në artikull, “e ka rindërtuar Serbinë sipas modelit të Orbanit, por pavarësisht kesaj, “Kur presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen vizitoi Beogradin në muajin tetor, ajo ishte plot lavdërime për ‘të dashurin Aleksandër’”, teksa dhe iu drejtua me fjalët: Serbia ka bërë përparim të madh ekonomik nën udhëheqjen e presidentit. Ju keni nisur reforma për sa i përket medias. Urime! Tani duhet të filloni ti zbatoni!”. Në vlerësimin e “Die Zeit” presidenti I një vendi kandidat për në BE, ia del mbanë me perëndimin në shumë gjëra, duke filluar me kundërshtimin e vendosjes se sanksioneve ndaj Rusisë, e deri te furnizimi me municion I Ukrainës.  Çfarëdo që do të pretendojë Vuçiç, njerëzit në Bruksel dhe Berlin me sa duket janë të përgatitur ta besojnë atë. Ai ende konsiderohet i domosdoshëm, ndonëse prej vitesh nuk e ka ‘dorëzuar’ Kosovën. Pse duhet Aleksandër Vucic? “Derisa të zgjidhet problem i Kosovës, ai do të jetë i nevojshëm”. – shkruan e perjavshmja gjermane. Pra, sipas “Die Zeit” mund të thuash se Vuçiç është një i mbijetuar i aftë”, por megjithatë, “ky është një interpretim tepër dashamirës”. “Dy gjëra kanë humbur në këtë mes. Sa më gjatë që ai dëshiron të qëndrojë në pushtet me ndihmën e BE-së dhe Gjermanisë, aq më shumë popullata serbe do të distancohet nga Evropa. Sondazhet e tregojnë qartë këtë” – shkruhet në artikull. Aty nënvizohet fakti se kur Vuçiç ishte bërë kryeministër i Serbisë për herë të parë në vitin 2012, përkrahja për anëtarësimin e Serbisë në BE ishte 70 për qind, ndërsa tani është më pak se 40 për qind. Në analizën e “Die Zeit”, thuhet gjithashtu se Vuçiç nuk ka skrupuj kur vjen puna për pushtetin. Ai e filloi karrierën e tij si një ultra-nacionalist serb, “por asgjë nuk sugjeron se ai i ka rishikuar vërtet bindjet e tij. Dhe për ta argumentuar këtë, prestigjiozja gjermane thekson faktin se parazgjedhjeve të 17 dhjetorit, Vuçiç bëri një marrëveshje me mentorin e tij të vjetër, të dënuarin për krime lufte, Vojislav Sheshel. “Vuçiç nuk ka skrupuj kur bëhet fjalë për pushtetin e tij – dhe ai ka shumë mjete për ta siguruar atë” – shkruan Die Zeit.

TRENDING

Exit mobile version