Politike

Dritan Hila: Udhëkryqi i Lulzim Bashës

Nga Dritan Hila

Me një veprim spektakolar, Basha ka përjashtuar nga partia 9 figura qendrore të saj, midis tyre edhe themeluesin dhe kryetarin historik Sali Berisha, me një akt të pashembullt në historinë e politikës shqiptare.

Duke futur në numër edhe ata të përjashtuar më parë, kjo është purga me e madhe e ndodhur në një parti të shtetit shqiptar.

Problemi fillon me spastrimet ku në vend të figurave politike që ka përzënë, i ka zëvendësuar me ish-burokratë të administratës apo figurina që Berisha i përdorte për dekor. Shumica e tyre as shkëlqejnë nga fushat nga vijnë dhe as që e kanë idenë se ku do të shkojnë apo se çfarë është politika si profesion. Të kapësh kreun e një partie është vetëm një premisë për të bërë karrierë, por është më e pakta. Jeta tregon se nga 100 që i hyjnë asaj rruge, 99 mbesin rrugës. Aq më e vështirë bëhet në opozitë ku për të afruar mbështetësit rreth vetes, në mungesë të privilegjeve të pushtetit, të duhen idetë, karizma, forca për të dhënë shpresë. Duhet punë të gjesh të tillë në ekipin e Bashës.

Një faktor tjetër po aq me rëndësi është statura e liderit.

Deri më sot Basha është mbajtur si një personazh i dorës së dytë, i rritur nën hijen e Berishës dhe pa iniciativë personale. Më shumë se udhëheqës, Basha ishte një regjent që mbante kolltukun e kryetarit derisa providenca të sillte një tjetër. Një ditë të bukur pamë që ai përjashtoi Berishën dhe gjuha e tij kopjoi tërësisht atë të mirëbërësit të tij. Mirëpo kaq gjë nuk të bën lider! Lidershipi fitohet në beteja, nga të cilat Basha nuk ka bërë asnjë. Nëse do të ishte justifikim autoriteti i Berishës, ai kishte katër muaj kohë, që nga momenti kur Berisha u shpall “non grata” nga SHBA dhe deri më shtator kur e përjashtoi, që të bënte betejën e tij. Por nuk e bëri!

U mjaftua thjesht t’i fuste stërkëmbësin një ditë para mbledhjes së Kuvendit. Mund të konkurronte me Foltoren duke bërë ture paralele në bazë, për të testuar mbështetjen dhe prezantuar tezat e tij dhe hedhur poshtë ato të Berishës. Jo, u mjaftua me bunkerizimin, duke vënë përballë Berishës ca figura pa ngjyrë që të vetmen dhunti kanë të zhurmojnë si gjinkalla të zalisura nga dielli korrikut dhe nuk i thonë asgjë publikut.

Sot, Basha është në një udhëkryq. Përjashtimet nuk i zgjidhin asgjë në momentin që ai bunkerizon partinë fizikisht dhe mendërisht. Pasja e logos dhe e vulës nuk janë asgjë në momentin që do përballet elektoralisht me kundërshtarin e tij, i cili nuk është vetëm Sali Berisha por të gjitha viktimat e politikave të tij të gabuara. Vula mund t’i vlejë deri në momentin elektoral. Pas kësaj ai dhe partia e tij do t’i duhet të përplaset me produktin që do dalë nga Foltorja. Mund të jenë kandidatë të pavarur ose parti, kjo mbetet për t’u parë. Por e sigurt është që përballë do të ketë pjesën më luftarake të demokratëve dhe shumicën e elementëve më cilësorë politikë që Basha i ka përzënë. Vetëm pas kësaj mund të flasim se kush e ka trashëguar vërtetë PD-në dhe jo vetëm vulën dhe siglën e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version