Aktualitet

Durrës – Treg i ri me halle të vjetra

Ora shënon 11:00 e paradites dhe në tregun agro-ushqimor të qytetit, që ndodhet në rrugën “Abaz Çelkupa” të Durrësit, të gjithë nxitojnë për të bërë blerjet e nevojshme dhe të largohen një minutë e më parë. Kjo për faktin se brenda në treg, temperatura është mjaft e lartë dhe gati e papërballueshme.

“Duhet të jetë më freskët. Për ushqimet që kanë të bëjmë me shëndetin duhet pak kujdes,”  thotë Fiqiri Kollçaku, një pensionist që bën pazarin që herët në mëngjes dhe largohet nga tregu me qeset në duar me shpejtësi, duke mos duruar dot vapën.

Ndërtesa e tregut të ri ka kushtuar rreth 60 milionë lekë dhe u inaugurua më 22 mars të këtij viti, pas gati një vit punimesh dhe protestash nga ana e tregtarëve për afatet.

Në tregun e sapondërtuar ushtrojnë aktivitetin 270 subjekte që kanë kontrata të rregullta me Bashkinë e Durrësit, ndërsa mbi 30 subjekte nënshkruajnë kontrata ditore që e çon në rreth 300 numrin e të vetëpunësuarve aty.

Megjithë dëshirën për një treg të ri, entuziazmi i tregtarëve për kushte më të mira u zbeh shumë shpejt.

“Tregu është bërë mirë për nga mënyra e konstruktit, por nuk është marrë parasysh çështja e ajrimit. Nga presioni i ajrit dhe i nxehtësisë në këto kohë, malli prishet gjysmë për gjysmë. Ne e marrim të mirë sot, nesër mbaron,” thotë për BIRN  Meleq Sinani, një nga tregtarët më të hershëm të këtij tregu.

Problemet me temperaturat e larta në godinë i konfirmojnë dhe ekspertët e ndërtimit, sipas të cilëve ato lidhen me të metat në projekt.

“Brenda tregut të produkteve bujqësore shqetësimi i tregtarëve është i drejtë. Unë e pashë vetë atë dhe aty ka vend për korrigjim. Të metat kryesore të projektit janë te nxehtësia e tejskajshme që prish edhe mallrat dhe produktet bujqësore në këtë periudhë të verës,” thotë   Abdulla Deliallisi,  inxhinier ndërtimi.

Fillimisht, tregtarët vendosën çadra dielli për të mbrojtur veten dhe mallin, ndërsa më pas shtuan nga polesteroli te kartonat. Megjithatë, ata kanë dështuar të krijojnë sadopak fresk dhe kushte për produktet e tyre.

“Është vendosur polesteroli që të mbrojë diçka. Tregtarët nga ana e tyre. Kur godasin rezet e diellit, asnjë mall nuk ka për të nesërmen. Kjo ishte arsyeja që i vendosën vetë tregtarët,” thotë Meleq Sinani.

Besniku, një tjetër tregtar thotë se tregu duhej të kishte dritare që të mund të hapeshin për ajrim.

“Gjatë beharit, vapa na mundon shumë,” tha ai.

E pyetur për objektin e ri, Bashkia e Durrësit pretendoi se janë lënë dy hapje anësore që do të shërbenin për ajrimin.

“Organizimi i markatës dhe projekti i rikonstruksionit kanë parashikuar një mbyllje sa më të mirë të pjesës së mbulesës, e cila gjatë sezonit të dimrit shkaktonte shumë probleme me shirat, ndërsa për të bërë një ventilim sa më të mirë në periudhën e verës, në pjesën perëndimore të strukturës është lenë një hapje më e madhe në dy faqet anësore,” tha koordinatorja Vilma Hyseni në një përgjigje me shkrim.

Tregtarët pretenduan se hapjet e faqeve anësore janë të pamjaftueshme për këtë sipërfaqe të madhe.

“Nxehtësi e madhe, sa mos e pyet më. Ndikon vapa shumë. Malli prishet. Ka mundësi edhe i hedhim,” thotë një  tregtare tjetër që shet në hyrje të godinës, ku dritaret mungojnë.

Tashmë që objekti ka disa muaj që është inauguruar dhe ankesat e tregtarëve për vapën në objekt nuk janë marrë parasysh, bashkia thotë se ato mund të merren në konsideratë në të ardhmen për të instaluar rregullues të temperaturës.

“Për instalimin e pajisjeve që bëjnë rregullimin e temperaturës është një proces që mund të merret në konsideratë në vijim,  si kërkesë specifike nga ana e tregtarëve,” thotë Vilma Hyseni.

Por inxhinieri Deliallisi thotë se defektet e dala në dritë tregojnë mungesë planifikimi dhe shpërdorim të taksave të qytetarëve.

Sipas tij, nuk është hera e parë që investime të konsiderueshme në Durrës kërkojnë ndërhyrje pas pak vitesh nga përfundimi i punimeve dhe ai i druhet faktit se kështu mund të ndodhë dhe me tregun e ri.

“Çdo investim janë taksapaguesit e qytetit të Durrësit, të cilëve u rëndon mbi kurrizin e tyre dhe në qoftë se kjo punë do të vazhdojë kështu, taksat e qytetarëve do të shkojnë vazhdimisht kështu për të përsëritur punën… S’ka për t’u bërë kurrë qyteti, sepse nuk ndërtohet në këtë formë,” tha Deliallisi.

Inxhinieri thotë gjithashtu se godina mund të shkaktojë probleme edhe në dimër.

“Hapësirat e lëna për ajrosje nuk janë llogaritur mirë. Në shumë pjesë të godinës hyn shiu,  kishte pjesë të hapura që nuk përkojnë me një godinë moderne për të cilën është bërë ky investim,” përfundoi ai.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version