Shkrime

E vërteta e zymtë e Kurtit dhe “Vetëvendosja” që nuk ekzistoi kurrë

Nga Shkodran Ramadani

Në Rambuje, delegacioni kosovar e pranoi marrëveshjen pasi kishte kontribuar direkt në përmbajtjen e saj dhe pasi ishin siguruar se në marrëveshje do të përfshihej e drejta e referendumit popullor 3 vjet pas nënshkrimit kurse në Vjenë ata ishin kategorik në kërkesën për pavarësi të Kosovës, dhe vetëm pasi u siguruan që kërkesa do të përfshihej në plan, pranuan Pakon e Ahtisarit.

Megjithatë, një grusht njerëzish të zhurmshëm, të paditur e mashtrues, thonin se nuk është e mundur që kërkesat dhe aspiratat e Kosovës të përfshiheshin në negociata. Sepse vetë procesi negociator që kishte pavarësinë si kërkesë maksimale, do të përfundonte me zmbrapsje nga  qëndrimi fillestar.

Për rrjedhojë, Kosova duhej të largohej nga negociatat sepse “pavarësia në paketë nuk vjen”. Sipas këtij interpretimi të dobët, të përçudnuar e të poshtër, Kosova do të mbetej vetëm rajon autonom në Serbi.

Ajo që ndodhi më pas thjesht demontoi çdo premisë të Vetëvendosjes. Kosova u bë e pavarur edhe duke negocuar. Sepse ishte e aftë dhe e vendosur që të vendoste vet për përmbajtjen e marrëveshjes.

Kështu, Lëvizja Vetëvendosje mbeti edhe pa kauzë. Kjo është arsyeja kryesore pse Albin Kurti më pas u kap pas kauzës së Bashkimit Kombëtar.

Në thelb të konceptit “vetëvendosje” qëndron ideja se njeriu duhet të vendosë vetë për vete. E megjithatë, partia që bart këtë emër, deri më tani jo vetëm që fatin e Kosovës po e vendos bashkë me të tjerët, por e ka përjashtuar veten nga procesi jetik i negocimit. Kosova jo vetëm që nuk ka negocuar për draft statutin e Asociacionit, por e ka pranuar atë të gatshëm, të stilit “merre osë lëre”.

Kështu ka pranuar edhe Planin Franko-Gjerman, për të cilin Kurti personalisht ka deklaruar se nuk ka gisht në hartimin e tij. Kurse, me pranimin e Planit Franko-Gjerman, në nenin 7, Kurti është pajtuar që Kosova e Serbia bashkërisht të bëjnë Asociacionin.

Sot sllogani vetëvendosje është vetëm një lëvozhgë që mbështjell një grumbull njerëzisht që kanë heq dorë nga çdo impuls i ruajtjes së pavarësisë individuale, kolektive e shtetërore. Ky është pozicioni i robit, i skllavit dhe i një partie që ka hequr dorë nga çdo formë e dinjitetit dhe integritetit njerëzor. Ky është niveli më i lartë i nënshtrimit, poshtërimit dhe shkeljes më brutale të vullnetit politik të Kosovës.

Nuk ka shumë shembuj nga jeta, ku gjen fuqi më të madhe shprehëse urtësia e Nieztsches: Kur shikon humnerën edhe ajo të shikon ty.

Në kundërshti të plotë me të vërtetën, Albin Kurti për kohë të gjatë ka deklaruar se me Hashim Thacin, Kosova po zhytet në greminën e skëterrshme të asgjësimit. Sot me Kurtin kryeministër, kjo u bë përnjëmend realitet.

Kurti është bërë mishërimi real i humnerës që nuk ekzistoi, por që ai e shpiki për të krijuar ankth e frikë kolektive.

Dhe sot e drejta e Kosovës për të vendosur për vete është hedhur në fund të kësaj humnere që është reale. Në të po flaken një nga një të gjitha arritjet e deritanishme dhe përplasja e tyre kumbon në veshët tanë.

Por ç’rëndësi ka kjo për Albin Kurtin kur tani, ai nga maja e pushtetit, kujton me nihilizëm e pa nostalgji brohoritjet e dikurshme “Rroftë Vetëvendosje”

Dje në parlament, ai nuk do duhej ti kishte zevendësuar ato brohoitje me të qeshurat cinike të burokratit, për të cilin thonë se në Bruksel ka firmosur edhe mandilen që i kishte vendosur kamarieri në tavolinën e bukës.

Epo kështu e ka kujtesa muskulare, që është një formë e kujtesës që motorizon trurin përmes përsëritjes së veprimeve të njëjta. Kur një lëvizje përsëritet shpesh me kalimin e kohës, truri krijon një kujtesë afatgjatë të muskujve për ta kryer atë detyrë në mënyrë të pavetëdijshme.

Në këtë mënyrë, kur mësohesh të nënshkruash gjëra pa negociuar, nënshkruan çdo gjë që të del përpara, edhe mbulesën e tavolinës

Një proverbë thotë – “kur mendon se je çekan, çdo gjë të duket si gozhdë”.

Albin Kurti sot është bërë si një laps që nuk i reziston as presionit më të vogël për të nënshkruar çfarëdo që i serviret përpara. Në fakt, aty gjen shprehjen më vitale të ekzistencës së tij si laps në duart e atyre që vendosin fatin e Kosovës pa e pyetur Kosovën.

 

 

TRENDING

Exit mobile version