Politike

‘Financial Times’për Shqipërinë: Drogë, spiunë dhe kamera! Rama sulmoi rivalët

Marton Dunai, për Financial Times

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë është një nga liderët më properëndimorë në Ballkan, një ish-basketbollist dhe artist që erdhi në pushtet duke premtuar një goditje të pamëshirshme ndaj bandave kriminale. Megjithatë, një dekadë më vonë, përpjekjet e Ramës për të përmbushur këtë premtim po bëhen gjithnjë e më të qarta, pasi skandalet e njëpasnjëshme kanë njollosur imazhin e tij brenda dhe jashtë vendit. Rama është detyruar të mbrojë reformat që dyshohet se janë favorizojnë pastrimin e parave, të shpjegojë se si bashkëpunëtorët e vjetër të qeverisë u përfshinë në hetimet e trafikut të drogës dhe të llogarisë rolin e tij në korruptimin e ish-agjentit të FBI-së (Charles McGonigal).

Lutfi Dervishi, një analist i pavarur politik dhe ish-drejtor ekzekutiv i Transparency International në Shqipëri , tha: Dëmi më i madh ka qenë në reputacionin ndërkombëtar të vendit. Kryeministri dikur ishte një yll i mediave ndërkombëtare.”

Ai tha se Rama i kishte trajtuar mirë krizat e shumta, përfshirë pandeminë e koronavirusit, “por tani, si një bumerang, befas ai është në qendër të vëmendjes për lajmet negative”.

Fuqia e rrjeteve kriminale në Shqipërinë e drejtuar nga Rama u zbulua në mënyrë spektakolare muajin e kaluar. Policia sekuestroi qindra kamera vëzhgimi të instaluara nga kriminelët, të cilët monitoronin policinë dhe rivalët.

Zbulimet krijuan një sfond jo të lehtë për Ramën, 58 vjeç, që rrjedh nga një familje artistësh. Rama e filloi karrierën e tij si basketbollist, më pas kaloi një dekadë duke pikturuar në Paris para se të kthehej në Shqipëri dhe të hynte në politikë. Zyra e tij ende mban relike të basketbollit dhe shkarravinave të tij shumëngjyrëshe në mure.

Si kryebashkiak i Tiranës në fillim të viteve 2000, ai ndihmoi në transformimin e kryeqytetit duke rilyer blloqet e apartamenteve të epokës komuniste me ngjyra të ndryshme. Rama ka mbrojtur përpjekjet e tij për të çrrënjosur bandat.

“Lufta e krimit dhe trafikimit ka qenë një prioritet për këtë qeveri”, tha ai për Financial Times përmes një zëdhënësi. Megjithatë, qeveria e tij shkaktoi polemika vitin e kaluar kur kërkoi të miratonte amnistinë fiskale për të ardhurat e emigrantëve deri në 2 milionë euro, një lëvizje që kritikët thonë se do të rehabilitonte paratë e kriminelëve.

Ligji është në pritje të miratimit parlamentar edhe pse draft-versionet e mëparshme u kritikuan nga BE, në të cilën Shqipëria pretendon të anëtarësohet.

Qeveria e Ramës ka thënë se ligji do të zbatohet vetëm për të ardhurat e ligjshme. Kjo pasoi skandale të tjera.

Dervishi tha se indeksi i perceptimit të korrupsionit të Transparency International për Shqipërinë ka ardhur duke rënë që nga viti 2016.

“Kam mbajtur shënim këtë vit për skandalet e mëdha të lidhura me korrupsionin. Kam një duzinë,”- tha ai.

Anëtarë të lartë të administratave të mëparshme të Ramës janë implikuar në trafik droge. Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u burgos për shpërdorim detyre pasi iu zbuluan lidhje me një grup trafikantësh.

Mbrojtësit e Ramës thonë se krerët e mëparshëm të qeverive nuk do të kishin futur kurrë në burg zyrtarët e tyre. Por skandali i mbikqyrjes zemëroi qytetarët, shumë prej të cilëve besojnë se qeveria bashkëpunon me trafikantët e drogës. Trafikantët po zgjerojnë shtrirjen e tyre. Bandat shqiptare janë zgjeruar që nga plantacionet ilegale të kanabisit deri te trafikimi i kokainës dhe heroinës direkt nga Amerika Latine dhe Azia. Miliona euro u derdhën në Shqipëri, duke ndihmuar në zhvillimin e pasurive të paluajtshme luksoze përgjatë bregdetit të Mesdheut.

“Bota e krimit po forcohet në një nivel të ri,” tha ish-ministri i drejtësisë Aldo Bumci, një anëtar i Partisë Demokratike.

Ai vuri në dukje zhvillimet bregdetare dhe kullat e banimit në Tiranë si destinacion për paratë e paligjshme.

“Rrjetet e shpërndarjes rriten, ashtu si edhe pastrimi i parave. . . kush mund t’i përballojë këto apartamente? Jo shqiptarët e zakonshëm.”

Stili i jetesës së gangsterëve në një nga vendet më të varfra të Evropës është në kontrast të fortë me luftën e shqiptarëve të zakonshëm, shumë prej të cilëve zgjedhin të emigrojnë. Një e treta e qytetarëve të vendit jetojnë jashtë vendit dhe emigracioni në MB ka tensionuar marrëdhëniet me Londrën. Reputacioni i Ramës jashtë shtetit është dëmtuar gjithashtu nga kontaktet e tij me një ish-agjent të FBI-së, Charles McGonigal, i akuzuar se ka ndihmuar liderin shqiptar për të përndjekur rivalët politikë.

Departamenti amerikan i drejtësisë akuzoi ish-shefin e kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal në janar për shkelje të sanksioneve të SHBA-së dhe përfshirje në pastrim parash duke punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska. Një aktakuzë e veçantë fokusohet në kontaktet e padeklaruara të McGonigal me Ramën dhe pretendon se ai kryente shërbime me pagesë për shqiptarët.

McGonigal akuzohet se ka marrë të paktën 225 mijë dollarë nga një oficer i inteligjencës shqiptare dhe më pas ka kaluar informacione nga zyra e Ramës tek autoritetet amerikane. Ata nga ana e tyre hapën një hetim për një lobist me bazë në SHBA që punonte për opozitën shqiptare.

Udhëheqësi i opozitës Sali Berisha, një ish-president dhe kryeministër, pretendoi se futja e tij në listën e zezë nga SHBA në 2021 ishte rezultat i kontakteve të Ramës me McGonigal.

“Vendimi i SHBA-së, tetë vjet pasi u largova nga pushteti . . . bazohet tërësisht në fuqinë lobuese të Edi Ramës”, tha ai për FT.

Rama mohon të ketë përdorur kontaktet e tij me McGonigal për këtë qëllim. Ai vuri në dukje se në dosjen për McGonigal nuk ngrihet asnjë akuzë kundër tij dhe tha se ai është “përdorur si kokë turku nga shumë individë në Shqipëri që kanë problemet e tyre të vazhdueshme me sistemin e drejtësisë”. I dërguari i lartë rajonal i qeverisë amerikane, Gabriel Escobar, tha se Shqipëria mbetet një “aleat solid i NATO-s – një partner i mirë dypalësh”.

Personaliteti i dashur i Ramës i ka krijuar atij lidhje të mira me liderët, duke përfshirë liberalët dhe konservatorët nga lindja dhe perëndimi. Ai mori pjesë në dasmën e tretë të George Soros, si dhe në atë të vajzës së presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan. Por zgjedhjet bashkiake në maj do të testojnë dominimin e kryeministrit në politikën shqiptare.

Edval Zoto, një analist i pavarur, tha se Rama po vuante “pasoja në lidhje me mbështetjen popullore dhe opinionin publik”. Ai shtoi megjithatë se “aktualisht nuk ka asnjë ofertë tjetër politike në Shqipëri”, duke qenë se lideri i opozitës Berisha është i sanksionuar nga aleatë të rëndësishëm, SHBA dhe Britania e Madhe.

Partia Socialiste e Ramës kontrollon çdo pushtet vendor, përveç qytetit verior dhe krahinës së Shkodrës.

Pranë Malit të Zi, qyteti është vendi ku filloi ‘skandali i spiunazhit’. Oficerët kërkuan të merrnin pamjet nga ato kamera në janar pas një shpërthimit me lëndë plasëse në shtëpinë e një polici, i cili kishte drejtuar një operacion kundër kultivuesve të kanabisit dhe rrjeteve të trafikut të drogës.

Më shumë se 500 pajisje u hoqën në të gjithë vendin. Artan Hoxha, një gazetar investigativ shqiptar, tha se kishte parë “dhoma të mëdha kontrolli me shumë ekrane, ku grupet e mëdha të krimit vëzhgojnë”. “Bëhet fjalë për kamera që ‘shohin’ dhe natën, kanë aftësi për njohjen e fytyrës dhe targave. Vetëm policia duhet të ketë kamera të tilla. Madje kishte kamera në pyll për të monitoruar plantacionet e kanabisit.”

Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, nga Partia Demokratike e opozitës së Berishës, tha se frika e kriminelëve kishte shkaktuar një eksod.

“Ky rajon ka 215,000 banorë, por rreth 6,000 largohen brenda një viti. Me atë ritëm, në një dekadë e gjysmë, gjysma e rajonit do të zhduket.”

Duke fajësuar “strukturat shtetërore jofunksionale”, ai tha se skandali i kamerave të krimit ishte “një pikë në oqeanin e qeverisë së infektuar nga krimi”.

Petriti, një menaxher kafeneje në Shkodër, pohoi të njëjtën gjë dhe shtoi: Ajo që duket si korrupsion, duket si korrupsion dhe tingëllon si korrupsion është ndoshta kjo, korrupsion . . . Nuk është çudi që njerëzit po largohen.

TRENDING

Exit mobile version