Aktualitet
FOTO/ 60-vjeçarin e zuri poshtë tarraca, fqinji: Banesa ishte e vjetër
Pronari i një banese në Qerret, Shaban Shehu, 60-vjeç, ndërroi jetë pasi e zuri poshtë soleta e banesës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:15, ku viktima po kryente punime bashkë me Albert Rroshin, të cilin e kishte punësuar për ta ndihmuar. Sakaq, soleta është shembur papritur dhe ka zënë poshtë të riun bashkë me viktimën.
Kjo banesë ishte ishte e vjetër dhe nuk e përdorte për banim. Ndërhyrja e zjarrfikësve ka qenë e shpejtë, duke i nxjerrë të dy nga rrënojat e banesës, por fatkeqësisht goditja ka qenë fatale për Shehun, i cili ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Një fqinj ka rrëfyer se banesa ka qenë e vjetër, dhe se pronari i shtëpisë po merrej me punime. “Prej 20 vitesh jetonin këtu. Shtëpia këtu është e re, s’kanë dy vjet që e kanë mbaruar. E ka pas blerë dhe e ka ndërtuar. Sot është shemb shtëpia e vjetër, e ka zënë poshtë tarraca. Ka dy çuna, më duket se edhe një gocë. Sot apo dje kanë punuar. Kanë punuar aty, por ajo është shembur se është e vjetër. Kanë qenë punime jo të kontrolluara dhe ka rënë banesa. Banesa ishte një katëshe. Ky që e ka shtëpinë, tjetri ka qenë punëtor”.