Bota

FOTO/ Erdogan publikon shtetet që reaguan pas sulmit në Turqi

Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 81 janë plagosur nga shpërthimi në një zonë të frekuentuar në qendër të Stambollit. Ngjarja ndodhi mesditën e 13 nëntorit në orën 16:20, sipas kohës lokale, në një rrugë në zonën e Sheshit Taksim, tha guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se keqbërësit do të ndëshkohen.

Ditën e sotme ai ka falënderuar të gjitha vendet dhe organizatat ndërkombëtare që reaguan ndaj sulmit terrorist.

Mes vendeve që Erdogan i ka shprehur mirënjohjen është edhe Shqipëria me Kosovën.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për të gjitha vendet dhe organizatat ndërkombëtare që reaguan ndaj sulmit terrorist në rrugën Istiklal, ndanë dhimbjen tonë dhe shprehën ngushëllimet e tyre”, shkruan ai në Twitter.

 

Ndërkaq lidhur me sulmin është arrestuar një grua siriane, si e dyshuara kryesore për shpërthimin në qytet.

Sipas medieve turke bëhet fjalë për Ahlam Albahashir nga Siria.

Sipas njoftimit të policisë së Stambollit, “gruaja gjatë marrjes në pyetje ka rrëfyer se ishte trajnuar si oficere speciale nga organizata terroriste e PKK-së dhe se kishte hyrë ilegalisht në vend nga Arfini”.

Turqia ishte goditur nga një seri bombardimesh vdekjeprurëse edhe më 2015 dhe 2017, përgjegjësinë e të cilave e kishin marrë grupi militant Shteti Islamik dhe militantët kurdë. Nga këto sulme janë vrarë mbi 500 civilë dhe personel i sigurisë.

Turqia për një kohë të gjatë lufton kundër militantëve kurdë – apo Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që njihet si organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

TRENDING

Exit mobile version