Shkrime

Franca “ua ka hequr vizën” udhëheqësve të Kosovës

Nga Mero Baze

Presidenti Macron nuk donte të ishte i paqartë në atë që tha në Tiranë. Më shumë se sa penalizimi i mundshëm për mos liberalizmin e vizave, donte t’u tregonte udhëheqësve të Kosovës se ai nuk ka besim se ata mbajnë fjalën e dhënë në Ohër dhe këtë e ka nga një histori e gjatë aktesh politike dhe justifikimesh që kanë krijuar atë klimë mosbesimi tek ai, si një nga autorët e planit të paqes mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një farë mënyre ai tha se po mbajnë pezull vendimin për liberalizmin e vizave, për shkak të mosbesimit tek udhëheqja politike e Kosovës. Dhe këtu thelbi është sjellja e udhëheqësve të Kosovës, dhe jo vizat në vetvete si mekanizëm ndëshkimi.

Kur presidenti i Francës deklaron se udhëheqja e Kosovës nuk bën atë që thotë, ai nuk e ka thjesht shqetësimin tek karakteri i tyre. Se ka disa politikanë që gënjeshtrën e kanë pjesë të jetës së tyre politike dhe nuk mërziten shumë. Por ai e merr dhe më seriozisht situatën. Kur ai shikon se ata nuk bëjnë atë që thonë, ai dyshon se ata kanë në kokë një plan tjetër nga ai që bien dakord me Perëndimin.

Pra i marrin më seriozisht si njerëz që kanë plan B, se sa thjesht si gënjeshtarë. Dhe plani B që tremb Perëndimin është një plan kundër depërshkallezimit në very, që mund të çojë ose në një konflikt të ri, ose në kthimin në një gangrenë të pakicës serbe në Veri të Kosovës, për ta mbajtur atë si kauzë politike me të cilën mund të sigurojnë pushtet si populistë.

Pra thelbi i gjithë pakënaqësisë së presidentit Macron me udhëheqjen e Kosovës është se ata e kanë gënjyer atë. Dhe krijimi i një klime besimi me një prej dy intelokutorëve ndërkombëtar të planit të paqes, tani është shumë më e vështirë se pas Ohrit.

Ajo që bëri Albin Kurti ishte se menjëherë pasi ra dakord verbalisht në Ohër për planin franko- gjerman, filloi të justifikohej se Vuçiq nuk e do planin, se Vuçiq nuk do ta zbatojë atë etj.

Këto janë të vërteta. Madje janë të vërteta të provueshme. Është e qartë që Serbia nuk e do atë plan, pasi ai plan është në favor të Kosovës. Por përse Kosova nuk hedh hapat e saj në realizmin e atij plani, është një pikëpyetje e madhe.

Albin Kurti do të krijojë besueshmëri ndërkombëtare kur të ulet të bëjë detyrat e tij të caktuara në Ohër, pasi nuk e ka caktuar njeri supervizor të Vuçiqit. Vuçiq ka axhendë tjetër, ka aleatë të tjerë nga Pekini në Moskë dhe ndoshta nuk ka ndërmend kurrë të firmosë atë plan.

Por Kosova nuk duhet të barazohet me Serbinë në këtë plan ndërkombëtar të paqes. Kosova duhet të kryejë gjithë detyrimet e saj dhe t’ia lërë Serbisë në derë përgjegjësinë për hedhjen në erë të projektit franko- gjerman.

Por ajo bëri të kundërtën. Pas Ohrit, duke ju referuar Serbisë, Albin Kurti krijoi bindjen se nuk kishte ndërmend të plotësonte asnjë rekomandim ndërkombëtar dhe në vend të fuste Kosovën në prioritetet e Perëndimit, e futi atë nën sanksione të Perëndimit. Aq e rëndë është kjo, sa dhe pas sulmit barbar të 24 shtatorit, ai ende nuk po barazohet me Serbinë, sa i përket sanksioneve. Dhe e gjithë kjo se ai ka krijuar mungesë besueshmërie.

Tani Albin Kurti mund të jetë gati të firmosë gjithçka, por kjo do t’i hajë kohë që të bëhet dhe i besueshëm. Kur ndodhi 24 shtatori, u pa qartë se Perëndimi ishte në krah të Kosovës me gjithë forcë, dhe kjo është garancia që Perëndimi jep për Kosovën. Ai nuk e lë atë në dorë të Serbisë.

Por nga ana tjetër Kosova nuk duhet të trajtojë kërkesat e Perëndimit si një arsye pse ndodhi 24 shtatori, siç po bën Kurti. 24 shtatori ndodhi nga e kundërta, nga fakti që Kurti ju largua Perëndimit dhe trimëroi Serbinë.

Tani do t’i duhet dyfishi i punës për të rikthyer besimin tek Perëndimi. Pas gjithë kësaj sorollatje dhe sanksioneve ndaj Kosovës, ati i duhet një herë energji për t’u kthyer në pikën zero dhe pastaj për të filluar ngritjen.

Është kjo arsyeja që ajo që bëri Macron, nuk kishte të bënte aq shumë me pezullimin e procesit te liberalizmit të vizave, të cilat janë premtuar se do hiqen në janar, por me faktin se ai i ka hequr vizën udhëheqjes së Kosovës, e cila për të është ende e pabesueshme.

TRENDING

Exit mobile version