Kosova

Fundi i romancës së Kurtit me evropianët

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, përfundoi në listën e zezë të LVV-së. Kaq ishte dhe romanca diplomatike e Kryeministrit Kurti me dyshen socialiste të BE-së, që vinte nga Spanja e Sllovakia, me ata që më herët i kishte vlerësuar si më të përshtatshmit për t’i zgjidhur problemet me Serbinë.

Mosmarrëveshja mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës para dy ditësh në Bruksel ishte më e thellë se kaq. Kryeministri Kurti u shpall fajtor nga dikur diplomati i tij i preferuar, Josep Borrell.

Kur diplomacia evropiane, rrjedhimisht edhe ndërmjetësimi i dialogut, ishin vënë në duar e Josep Borrellit si Përfaqësues i Lartë i BE-së dhe Miroslav Lajcak, si Përfaqësues i Posaçëm, kishte shumë skeptikë në Kosovë, pasi negociatat me Serbinë do t’i ndërmjetësonin nga dy diplomatë që vinin nga dy shtete që nuk e njihnin Kosovën. Por, Kurti, si rrallëherë, nuk ishte në tribunën e skeptikëve. Lideri që sapo i kishte fituar zgjedhjet, në vitin 2020 shprehej i lumtur për formacionin e ri të diplomacisë së Bashkimit Evropian.

Borrell mori detyrën në dhjetor të 2019-s dhe ardhja e tij përkonte me kohën kur SHBA-ja e kishte deleguar diplomatin Richard Grenell të merrej me dialogun Kosovë – Serbi.

Është e paqartë nëse ajo që e ofroi Kurtin me diplomatët evropianë, ishte më shumë qasja e Grenellit që s’i pëlqente, apo kishte një përafrim të natyrshëm, që origjinën e pati te përkatësia e tyre ideologjike. Apo, sa më shumë i shante ish-Presidenti Hashim Thaçin përfaqësuesit evropianë atë kohë, aq më shumë i donte Albin Kurti.

“Kosova është shtet në kontinentin e Evropës, e nuk është në kufi me Meksikë”, thoshte Kurti gjatë drejtimit të Qeverisë së tij të parë, për të arsyetuar mosmarrëveshjet me SHBA-në dhe përputhjen që ai kishte me BE-në.

Por, shpejt gjërat ndryshuan. Ndërruan kufijtë politikë që Kurti në 2020 i përshkruante me ata gjeografikë. Përfaqësuesi i BE-së doli para dy ditësh nga takimi tetë orësh në Bruksel dhe njoftoi që s’ishte arritur asnjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, kjo pasi propozimi i tij ishte refuzuar nga Kryeministri i Kosovës, kurse Vuçiç ishte dakordësuar.

Çështja e targave që po vazhdon prej verës, dukej se e ka acaruar Borrellin, i cili pas takimit me Kryeministrin e Kosovës dhe Presidentin e Serbisë,  tha se po shkohej “nga kriza në krizë”.

Kryediplomati evropian nuk u kursye nga akuzat dhe nuk e fshehu zemërimin. Ai tha se do t’i njoftonte të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian për sjelljen dhe mungesën e respektit, vecanërisht të Kosovës. Nga ana tjetër, as Albin Kurti nuk e kurseu Borrellin pas takimit, duke thënë se ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e raporteve me Serbinë

Pastaj Kurti e la Borrell-in në duart e ushtrisë virtuale të Lëvizjes Vetëvendosje. Bashkëpunëtori i afërt i Kurtit, Elvis Hoxha, shkroi në rrjetet sociale –  “Ti nuk mundesh, …edhe mundesh, por pastaj nuk mundesh. Kjo shprehje vlen për klane mafioze, për sekserë të ulët dhe përfaqësues të lartë, madje edhe për shtete gadishuj apo shtete gjenocidalë”.

Pastaj ishte rradha e deputeti besnik të Kurtit, Mefail Bajçinovci, i cili gjeti një nofkë morbide për spanjollin, teksa publikoi një fotografi bardh e zi, duke shkruar mbi të ‘Vorrell’.

Ambasada amerikane dhe zyrtarë të tjerë amerikanë prej javësh i kanë kërkuar vazhdimisht Kryeministrit Kurti që të pezullonte për 10 muaj zbatimin e vendimit për konvertimin e targave. Por amerikanët ishin të parët që u kritikuan për qasjen e tyre karshi Qeverisë së Kosovës, nga përkrahësit e Kurtit dhe LVV-ja.

Por më 21 nëntor pati zhvillime befasuese. Pas mesnatës, Ambasada amerikane njoftoi se i ka bërë një propozim Qeverisë për ta shturë 48 orë fazën e gjobitjes, që planifikohej të niste më 22 nëntor. Dhe, menjëherë pas Ambasadorit Jeff Hovenier, Kurti shkroi se e ka pranuar kërkesën e amerikanëve. Tani duket se Albin Kurti është rikthyer të konsiderojë kërkesat e SHBA dhe i ka dhënë fund, të paktën në dukje, romancës me Brukselin.

TRENDING

Exit mobile version