DOSSIER

Indrit Vokshi: Ahmet Zogu bëri shtetin shqiptar!

Me 9 prill 1961, vdiq në Francë Zogu I, Mbret i Shqiptarëve

Rrëfen Skënder Zogu, nipi, se atë ditë Leka I me oficerët kishin zënë gjithë katin e spitalit, kishin ngritur flamurin shqiptar në atë kat.

“Vdiq mbreti, unë isha shumë i ri. Leka I më thërret dhe më cakton detyrë të porosis agjenci funerale (me detajet e varrimit ishin caktuar kolonel Hysen Selmani dhe Salih Doshishti). Unë shkova në një agjenci funerale. Aty punonte edhe një afrikan. Iu tregova ndodhinë, iu thashë se ka vdekur mbreti i shqiptarëve. Afrikani nisi të qante me ngashërim për mbretin Zog. Ai afrikan kishte punuar dikur shofer i familjes mbretërore gjatë kohës kur ne ishim në Egjypt. E më tha mos u mërzit se do të të ndihmoj unë për organizimin.”

Kolonel Hysen Selmani, njëri prej personave më të afërt të mbretit, shkruan: “Më 9 prill 1961 ora 15.40, është kjo koha kur Madhëria e Tij, Zog I, Mbret i Shqiptarëve është me një lodhje të madhe. Ai i lëshoi krahun në qafë Princit Leka dhe i tha me një zë të ulët: “Lekë, tani je burrë. T’i mbani porositë që ju kam këshilluar. Pa masë, asgjë mos t’ju dhimbset për të mirën e Atdheut!” Kur mbaroi këto fjalë ngriti kokën dhe na pa të gjithëve. Me dorën tjetër mori dorën e Mbretëreshës e po shikonte të motrat. Ato ishin të këputura. Fytyra e tij ishte në qeshje si gjithmonë. Pas kësaj, nuk bëri asnjë lëvizje dhe mbylli sytë e dha shpirtin. Këto minuta nuk ka penë që t’i shkruajë.”

Presidenti i Francës Charles de Gaulle dha urdhër që të gjithë shqiptarët të hynin në Francë pa viza për të shkuar e për të nderuar mbretin Zogu I. Në varrezat e Tiesë në Paris u mblodhën rreth 1200 njerëz. Presidenti De Gaulle çoi përfaqësuesin e tij z.Roger Frey për ta nderuar Zogun I në emër të presidentit të Francës.

Mbreti Zog I qe faktor shtetformues për Shqipërinë. Ai e konkretizoi në realitet atë shtet që ishte i shpallur por ekzistonte vetëm në letër. Ska dyshim se mbretëria shqiptare nuk pati shkëlqimin e Burbonëve, Windsorëve apo Habsburgëve, pasi Shqipëria nuk ishte as Francë, as Britani, as Austri. Mirëpo në përputhje me ku ishte Shqipëria, mbretnia shkëlqeu disi.

Nderime për Zogu I, Mbret i Shqiptarëve.

TRENDING

Exit mobile version