Bota

“Kishin në shënjestër…”/ Rusia: Ndaluam një sulm ajror ukrainas

Rusia njoftoi të mërkurën se ka ndalur sulmet me raketa të Ukrainës që kishin në shënjestër rajonin e Belgorodit, ndërkohë që zyrtarët ukrainas njoftuan se Rusia ka kryer sulme gjatë natës me 13 dronë

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se sistemet e saj mbrojtëse rrëzuan 18 raketa ukrainase.

Kryebashkiaku i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov tha përmes platformës Telegram se janë dëmtuar shtëpitë në disa fshatra dhe të paktën një person është lënduar

Rajoni i Belgorodit, që ndodhet përgjatë kufirit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, shpesh është goditur nga sulmet ukrainase.

Ushtria ukrainase njoftoi se ka qëlluar 10 nga 13 dronët rusë në rajonet e Kharkiv-it, Sumy-it dhe Kievit.

Sipas njoftimit të guvernatorit rajonal të Kharkiv-it, Oleh Syniehubov, në platformën Telegram, një ndërtesë është dëmtuar, por nuk u raportua për viktima në njerëz.

Ndërkohë, guvernatori i qytetit Mykolaiv, Vitaliy Kim njoftoi në Telegram se tre nga dronët u shkatërruan në rajonin e tij. Ai nuk raportoi për dëme apo viktima.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi të martën mbrëma se ka bërë ndryshime në kabinetin e tij të sigurisë kombëtare.

Gjatë një fjalimi të mbajtur gjatë natës, ai tha se kishte zëvendësuar Sekretarin e Këshillit për Siguri Kombëtare të Ukrainës, Oleksiy Danilov me ish drejtuesin e agjencisë së zbulimit të jashtëm të Ukrainës, Oleksandr Lytvynenko.

Zoti Zelenskyy e quajti këtë ndryshim pjesë të “riformatimit të sistemit tonë shtetëror të qeverisjes”.

“Në përgjithësi, pres forcim të kapaciteteve tona shtetërore strategjike për të parashikuar dhe ndikuar në proceset nga të cilat varet siguria kombëtare dhe vendi ynë”, deklaroi zoti Zelenskyy./VOA

TRENDING

Exit mobile version