Kulture

Kreu i Shoqatës Shqiptaro- Kanadeze: Misioni ynë promovimi i kulturës shqiptare

Këto ditë, Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze e Torontos, që është shoqata më e madhe dhe më e vjetër e shqiptarëve të Kanadasë, festoi 30-vjetorin e themelimit të saj. Në kuadër të këtij përvjetori të rëndësishëm për komunitetin shqiptar këtu, për gazetën “Diaspora Shqiptare” zhvilluam një intervistë me kryetarin aktual të saj, z. Bujar Zejnullahu. Në këtë intervistë ai flet për sfidat e komunitetit shqiptar këtu, historikun e shoqatës, të tashmen dhe projektet e së ardhmes…

Në fillim, kur keni ardhur dhe sa ka qenë i vështirë integrimi juaj në Kanada?

Kam emigruar në Kanada në vitin 2000, me ç’rast iu bashkova familjes sime, e cila kishte ardhur këtu më herët. Integrimi im ka qenë më i lehtë se ç’mund të merret me mend pasi që isha vetëm 20 vjeç dhe e zotëroja mirë gjuhën angleze. Gjithashtu kam pasur fatin që gjatë gjithë kohës ta kem pranë mbështetjen e familjes. Në dekadën e parë kam punuar në fushën e hotelierisë, ndërsa në dekadën e dytë në fushën e turizmit, duke hapur edhe Agjensionin e njohur Turistik “Travel Only”.

Komuniteti shqiptar këtu ju njeh si aktivist në Toronto prej shumë vitesh. Më së shumti njiheni për organizimin e valles shqiptare në NBA pikërisht në lojërat e “Toronto Raptors” gjatë muajve nëntor për disa vite me radhë. Si ju lindi ideja dhe si u realizua?

Për organizimin e shumë ngjarjeve dhe promovimin e vlerave të kulturës shqiptare në Kanada kam filluar qysh nga viti 2003 nën emrin e kompaninë sime “Flare Entertainment” bashkë me disa shokë kemi organizuar shumë ngjarje të ndryshme kulturore me ç’rast kemi sjellë në Kanada shumë artistë nga mbarë bota shqiptare. Aktivitetin e fundit me kompaninë “Flare Entertainment” e kam mbajtur më 17 shkurt 2014, pikërisht festën e 6- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, me një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Shoqatën e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, dhe nga ai koncert u njoha nga afër shoqatën dhe  drejtuesit e saj. Që atëherë e ndërpreva aktivitetin tim atje dhe kam qenë aktivist dhe mbështetës i fuqishëm i Shoqatës së Bashkësisë Shqipatro-Kanadeze në Toronto. Pastaj gjithë këtë bagazh ia kam dhurur shoqatës në vitet 2017- 2020 natyrisht në mënyrë vullnetare.
Ideja për të promovuar vlerat tona kombëtare duke realizuar një Valle Shqiptare edhe në dyshemenë e famshme të stadiumit kryesor në Toronto “Air Canada Centre” (tani i njohur si “Scotia Bank Arena”) në fillim ishte ëndërr dhe me shumë përkushtim të lartë dhe ambicie të madhe u bë realitet. Realizimi i ngjarjes së parë u zhvillua në vitin 2015 gjatë muajit nëntor te cilin e pagëzova me emrin “Albanian Heritage Night”, venodosa të bashkëpunoja dhe t’u jap mundësinë të performojnë në një skenë gjigante ku gjatë lojës së NBA të ekipes “Toronto Raptors” kundër “Dallas – Mavericks” Grupit të Valleve “Shqiponjat e Vogla” nën udhëheqjen e koreografit profesionist z. Ramazan Këllezi, vajzat valltare shkëlqyen gjatë performancës nën tingujt e ‘‘Valles së Rugovës” me kostumet dhe flamuj kuq e zi na bënë të gjithëve krenarë dhe krijuan një atmosferë emocionale në mesin e 26,000 spektatorëve të ndeshjes dhe miliona shikuese dhe dashamirës të sportit në NBA.
Në vitin 2016 u zhvillua e njëjta valle dhe e fundit ne vitin 2017 gjat kohës kur Shqiperia u klalifikua per her te par ne kampionatin Evropian zgjodhem pikërisht këngën e Kombtares “Kuq e Zi” ku pjesë e grupit të valles ishte edhe Nderi i Kombit, Mbreteresha e Valles Liljana Cingu të cilët e ngritën stadiumin në këmbë dhe shumë shqiptarë që ishin të pranishëm aty duke kënduar e valvuam flamujt kuq e zi dhe të Kosovës u arrit një atmosferë e papërshkruar, e cila padyshim ngelet si një nga kujtimet dhe emocionet më të bukura të punës sime artistike dhe kombëtare.

 

Jeni kryetar i Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze të Torontos pikërisht në tridhjetëvjetorin e themelimit të saj. Sa janë afër shoqatës sot, themeluesit dhe anëtarët e parë të saj?

Gjatë mandit tim si përfaqësues i shoqatës nga viti 2017 e deri më sot e kam kuptuar dhe jam shumë i lumtur se sa shumë anëtarë dhe udhëheqës mbështesin shoqatën, dhe janë afër saj. Dëshmia më e mirë është se në Këshillin e Nderit të shoqatës edhe sot kemi kryetarin e parë të saj, z. Murat Hashani dhe kontribuesit të tre dekadave si Prof. Kristian Bukuroshi, Iljaz Lokku , Dr. Ruki Kondaj, Dr. Alban Merepezaj, prof. Saimir Lolja, etj. Komunikimi im me shumicën e ish-drejtuesëve dhe anëtarve të bordit  është aktiv dhe më bëhet qejti kur i shoh të pranishëm në aktivitetet tona të shumta si janë promovimi  i librave të ndryshëm apo festat tona kombëtare.

Shoqata juaj në bashkëpunim me përfaqësues të Parlamentit dhe Qeverisë së Ontarios ka arritur ta finalizojë shpalljen e muajit nëntor si Muaji i Trashëgimisë Shqiptare. Çfarë do të thotë ky ligj për komunitetin shqiptar në Onario?

 

Bashkëpunimi me përfaqësues të shtetit kanadez është mjaft i rëndësishëm për shoqatën dhe mbarë komunitetin tonë në Kanada. Andaj me ndihmën dhe bashkëpunim disa vjeçar të deputetes liberale znj. Laura Albanese dhe deputit poashtu liberal Dr. Shafik Kadri, dhe një kembguljeje dhe përkushtim të madh nga Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze dhe drejtuesit të saj, në vititn 2016 realizohet projekti më i madh kombëtar në Kanada dhe miratohet ligji 36, i cili njeh dhe shpall muajin nëntor si Muaji i Trashëgimisë Shqiptare në Ontario. Me këtë rast shpreh mirënjohje dhe falënderim të veçantë për tër grupin e punës dhe drejtuesen e këtij projekti Presidenten e Nderit, Dr. Ruki Kondaj. Unë personalisht kam pasë fatin të marrë pjesë në sallën e Parlamentit të Ontarios kur gjatë seancës u lexua ligji nga deputeti Dr S. Kadri dhe u shpalos historia shqiptare që nga koha e Gjerj Kastriotit- Skënderbetut, dhe duke u spikatur tek figurat që na bëjnë të gjithëve krenarë si Ismail Qemalit dhe Nënë Terezes, dhe ndjeva emocion të veçantë kur pas leximit të gjithë deputetët e parlamentit si nga pozita ashtu edhe nga opozita me duartrokitjet e tyre votuan për “Pro” pa asnjë kundërshtim. Ligji i Trashëgimisë i jep te drejt cdo shoqate, organizate ose individ që jeton në Provincën e Ontarios të shpalosin talentin e tyre për të organizuar ngjarje të ndryshme kultorore nën logon e Ligjit të Trashëgimisë. SHBSHK e mirëpret bashkëpunimit me të gjithë ideatorët për oraginizim të ngjarjeve të përbashkëta kulturore dhe promovimin e vlerave kombëtare në Kanada.

Sipas mendimit tuaj, edhe si aktivist po edhe si kryetar, cilat janë të arriturat më të mëdha të shoqatës në këto tridhjetë vite?

Janë plot 30 vjet veprimtari dhe përkushtim i lartë nga shumë intelektualë, artistë, veprimtarë, përfaqësues të shoqates, vëllezër dhe motra që kanë vepruar dhe kontribuar në mënyrë vullnetare dhe kombëtare qysh nga themelimi i shoqatës e gjerë më sot. Misioni i saj mbetet i njëjti që nga fillimi, i drejtë dhe i qartë miqësia shqiptaro- kandeze, promovimi i gjuhës, kulturës, dhe ruatja e vlerave tona kombëtare.
Êshtë e vështirë të flas për të gjitha të arriturat e shoqatës pasi besoj se ka të shumta dhe i ftoj lexuesit tuaj ta vizitojnë webfaqen zyrtare të shoqatës www.albcan.ca, ku do të mund të familjarizohen me veprimtarinë aktuale dhe me historikun e shoqatës sonë.

 

Sa ka ndikuar pandemia COVID- 19 në organizimin e shoqatës? Çfarë kishte planikifuar kryesia e tanishme për organizimin e tridhjetëvjetorit?

Planet që i kemi pasur në agjendën e këtij viti kanë qenë të shumta, ku njëra prej tyre ka qenë e planifikuar organizimi i një eventi me të gjithë ish- drejtuesit, përfaqësuesit e shoqatës, aktivistët dhe mbështetësit e saj gjatë këtyre tri dekadave, por COVID-19 nuk na lejoi ta realizojmë këtë ngjarje të menduar mirë. Këto ditë po punojmë që ta realizojmë këtë projekt, por më ndryshe, pra në mënyrë virtuale, ku me ndihmën e bashkëpunëtorit tonë të përhershëm Ilir Lena nga TV Pasqyra Shqiptare, do të lansohet së shpejti…


Si pjesë aktive edhe e projektit “Shtëpia e Shqiptarit”  që ka fillluar më 2017, a mund të na thoni se deri ku keni arritur deri më tani me këtë projekt?

Projeti madhor “Shtëpia e Shqiptarit” ka filluar në tetor të vitit 2017, që është një projekt të cilin e ëndrrojmë dhe e synojmë, jo vetëm ne, por të gjithë shqiptarët që jetojnë në Toronto dhe më gjerë. Shpresoj dhe besoj se do realizohet sa më parë, mirëpo siç e dini ende ka shumë punë për t’u bërë në rrugën e ngritjes së fondeve. Me një durim dhe përkushtim, presim që pas normalizimit të situatës së krijuar nga COVID-19, grupi i punës të fillojë punën me lobimin e mbledhjeve të fondeve të nevojshme në mënyrë që sa më parë ta vendosim gurthemelin e parë të Shtepisë Shqiptare në  rajonin e Torontos .

Jeni bashkëpronar Agjensise Turistike CanKos Travel “e njohur edhe për ndihmë në komunitetin shqiptar këtu. Sa ka ndikuar kjo kohë pandemie në biznesin tuaj?

Industria e Turizmit dhe padyshim edhe biznesi im ce nga muaji mars ka pasur  sfida të shumëta dhe dëme të mëdha financiare. Megjithatë ne jemi munduar të bëjmë maksimumin të jemi pranë pasagjerëve dhe klientëve në kërkesat e tyre nga më të ndryshmet për t’i realizuar udhëtimet e tyre esenciale. Jemi gjithmonë pranë tyre duke iu kemi ndihmuar dhe këshilluar për rregulla të ndryshme shtetërore, të cilat këta muaj kanë ndryshuar shumë shpesh, varësisht prej situatës së krijuar nga pandemia. Po lutemi që së shpejti do normalizohet gjithçka dhe fillojnë pushimet dhe aventurat e udhëtimeve nëpër botë, e cila na mungon shumë.

Toronto ka më së shumti shkolla shqipe në Kanada. Sa janë mësuesit dhe nxënësit afër shoqatës?

Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze në Toronto ka qenë dhe vazhdon të jetë pranë mësuesve tanë dhe shkollave shqipe që veprojnë në rajonin e Torontos dhe Oakville-it, duke i promovuar ato dhe nxitur prindërit t’i dergojnë fëmijët e tyre në klasa Shqipe. Para disa ditësh, ambasadori i Shqiprisë në Kanada z. Ermal Muça dhe ambasadori i Kosovës z. Adriatik Kryeziu kanë marrë një iniciativë të mrekullueshme në Provincën e Ontarios dhe me gjerë, duke u takuar me aktivistë të ndryeshëm dhe shpërndarë Abetare dhe libra të tjerë anë e mbanë Kanadasë ku jetojnë shqiptarët. Në zyrën e shoqatës në Toronto së bashku patëm një takim të frytshëm me disa mësues të gjuhës shqipe, të cilëve iu premtova se shoqata jonë mbetet partneri i tyre kryesor për t’i stimuluar dhe ndihmuar mësuesit dhe nxënësit që fëmijët tanë ta ruajnë këtë gjuhë të bukur që kemi. Unë u jam mirënjohës dhe përkulës pranë të gjithë mësuesve dhe kontributit të tyre heroik dhe kombëtar.

Cili do t’ishte mesazhi juaj për 30- vjetorin e themelimit të shoqatës?

Personalisht ndihem i priviligjuar dhe krenar që kam qenë pjesë dhe vazhdoj të kontribuoj vullnetarisht në një shoqatë kulturore dhe kombëtare  me historinë më të vjetër në Kanada. Jam mirenjohës për të gjithë themeluesit, drejtuesit, anëtarët e bordit ndër vite, dhe mbështetësit e vazhdueshëm të saj nga themelimi e deri me sot.
Gëzuar 30-vjetori i Shoqatës së Bashkësisë Shqipatro-Kanadeze të gjithë atyre që e ndjejnë veten pjesëtarë të saj, dhe uroj që rrënjët e saj të mos zhduken kurrë, dhe festa të tilla të festojnë edhe brezat e ardhshëm me shekuj me radhë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version