Aktualitet

Kryeministri Edi Rama në Fushë Krujë, në kantierin e lagjes së re

Apartamente e shtëpi individuale, shkolla, qendra shëndetësore, zyra shërbimesh publike, zona të gjelbra dhe një treg modern do të jetë pamja e re e lagjes që po ngrihet mbi gërmadhat e natës tragjike të 26 nëntorit, në Fushë-Krujë. E projektuar sipas një koncepti krejtësisht të ri të komplekseve të banimit, lagjja e re do të ketë një standard komplet ndryshe nga ai që tërmeti goditi.

Në kantierin e kësaj lagjeje ku ka përfunduar komplet infrastruktura lidhëse, Kryeministri pa nga afër nisjen e punës për ndërtimin e banesave individuale të familjeve të mbetura pa shtëpi. Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi tha se do të jenë 128 shtëpi individuale të formatit 1+1, 2+1 dhe 3+1, ndërsa sipas drejtuesit të punimeve, në harkun kohor të dy javëve do të jenë gati edhe projektet finale për pallatet e kësaj zone. “Ajo që është e rëndësishme për zonat e reja të zhvillimit është që e gjithë infrastruktura ka ardhur deri tek dera e shtëpisë, ujësjellësi, kanalizimet, energjia elektrike dhe interneti”, – u shpreh drejtuesi i punimeve.

“Pavarësisht motit duhet të punojmë pa pushim, sepse pësuam një vonesë jashtë vullnetit tonë, me ndalimin komplet nga karantina e përgjithshme. E dimë që tani, në këto kushte po vështirësohet puna për shkak të motit, por kjo është sakrifica që duhet bërë e do ta bëjmë sepse nuk duhet të vonohemi më tutje për asnjë shkak”, – u shpreh Kryeministri Rama.

15 pallate banimi me 100 apartamente, 128 shtëpi individuale, shkolla, qendra shëndetësore, zyra shërbimesh publike, zona të gjelbra dhe një treg modern për produktet e zonës do të shtrihen në 10 hektarë truall dhe do të ndryshojnë rrënjësisht cilësinë e jetës së banorëve, që do ta rinisin atë me standarde më të mira, më të forta e me më shumë hapësira publike për ta.​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version